Ilir Meta bëri këtë të hënë një shpjegim të gjatë të arsyeve që sipas tij e çuan në vendimin për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, akt të cilin ai e paralajmëroi të shtunën në mbrëmje dhe e firmosi publikisht gjatë një transmetimi televiziv.Mirëpo sipas juristit Plarent Ndrecës ky vendim është krejtësisht politik dhe duke u bazuar në ligj nuk ka një bazë konkrete.
“Absolutisht jo, një veprim që tregon një pikë shumë të ulët të kurbës presidenciale pas ’97. Është një veprim krejtësisht politik. Këtu nuk ka asnjë bazë ligjore konkrete, janë gjykime politike. Presidenti nuk mund të përdorë detyrën e tij për të ndikuar në fushën politike, apo për të hedhur dekrete presidenciale në ndihmë të palëve. Kushtetuta përcakton qartësisht datën e zgjedhjeve.
Me këtë veprim ai ka hedhur molotov mbi situatën, është bashkuar me një palë duke e kthyer procesin tërësisht politik. Juridikisht ky akt është tërësisht nul.
Nuk është akt thjesht i paligjshëm. Edhe sikur të ishte Gjykata Kushtetuese nuk do merrej me këtë vendim. Ka një vendim të 2017, që e ka thënë qartë.”