Dita-ditës hidhen hapa për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Gjatë javës që lamë pas Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi seancat dëgjimore me prokurorët që kandidojnë për në SPAK. Deri tani janë rivlerësuar 3 kandidatë, prokurori i Dibrës, Shkëlzen Cena e dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili. Këta dy të fundit u konfirmuan në detyrë, ndërsa për Cenën nuk është marrë akoma një venim. Ndërkohë nesër radha do të jetë e prokurorit të Krimeve të Rënda, Vladimir Mara.
Seanca për të do të nisë në orën 12:00, ndërsa Marës do të duhet t’i japë llogari para trupës gjykuese për aftësitë profesionale, integritetin e figurës dhe pasurinë. “Subjekti: Z. Vladimir Mara, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Vendi: Pallati i Koncerteve (ish-Pallati i Kongreseve), Salla B, Kati 0. Trupa Gjykuese: Pamela Qirko, Firdes Shuli, Alma Faskaj”, njoftoi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Një ditë më vonë KPK do të rivlerësojë edhe kryetaren e Prokurorisë së Elbasanit, Enkelejda Millonai, e cila po ashtu kandidon për SPAK.
Përballja e saj me trupën gjykuese do të nisë në orën 09:30 të së enjtes, ndërsa gjyqtarët e çështjes do të jenë Pamela Qirko, Brunilda Bekteshi dhe Roland Ilia. Vlen të theksohet fakti se deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po skanon ata kandidatë për të cilët Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka mbyllur dosjet e rivlerësimit dhe i ka miratuar aktet në mbledhje. Ndërkohë, ka ende disa kandidatë për të cilët aktet e vlerësimit nga KLP janë mbyllur, por thjesht nuk janë miratuar në mbledhje.
Një detaj tjetër interesant është se kësaj jave KPK iu kushtohet totalisht kandidatëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Përveç dy seancave dëgjimore me emrat e lartpërmendur, të premten KPK do të marrë edhe vendimin për Shkëlzen Cenën për ta shkarkuar apo mbajtur në detyrë.
Megjithatë, gjasat janë se ai do të përjashtohet nga sistemi sepse kishte probleme me pasurinë, aftësitë profesionale, por edhe me integritetin e figurës. Zhvillimi i seancave dëgjimore me përparësi tregon angazhimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të rivlerësuar sa më parë kandidatët e SPAK me qëllim që ngritja e saj të mos vonojë më shumë.
Brenda verës nis lufta antikorrupsion
Kalimi në veting i të gjithë kandidatëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion i jep hapësirë edhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të veprojë më pas për ngritjen e organit më të rëndësishëm në vend. KLP është institucioni që pasi të intervistojë secilin prokuror që ka shfaqur interes për tu bërë pjesë e SPAK, do të përzgjedhë midis më të mirëve për t’i emëruar anëtarë.
Dy kriteret kryesore ku do të bazohet KLP për të bërë përzgjedhjen janë që kandidatët të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut dhe që të kenë eksperiencë në hetimin e dosjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Fokusi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të jetë pikërisht goditja e këtyre dy fenomeneve. Tek SPAK janë varur shpresat që të hetohen dhe arrestohen shumë zyrtarë të lartë që janë të përfshirë në afera korrupsioni.
Kjo për arsyen se Kushtetuta e ndryshuar ja përcakton shumë qartë kompetencat e SPAK. Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka të drejtë të hetojë Presidentin e Republikës, kryeministrin, ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, ish-kryeministra dhe ish-presidentë e shumë zyrtarë të tjerë të lartë. Pra, me ngritjen e SPAK do t’i jepet një goditje shumë e fortë të gjithë të korruptuarve dhe pritet që ky organ të ngrihet brenda verës. /Mimoza Ibra