Ilir Meta pritet të shkarkohet ditën e enjte. Pas lojërave të njëpasnjëshme me Kushtetutën, me shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale, presidenti Meta firmosi edhe fundin e tij. Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama mblodhi Kryesinë e Partisë Socialiste, ku u vendos që të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit nga detyra.
Sipas burimeve nga mbledhja e Kryesisë, i pari i qeverisë ka akuzuar kreun e shtetit se ka shkelur Kushtetutën dhe që sipas tij, duhet të largohet nga posti që mban.
Ndërkohë që, nismën për shkarkimin e Metës, e pohoi edhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali. Gjatë një deklarate për mediat, Spiropali bëri me dije se Kryesia ka diskutuar dhe vendosur nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit Meta, duke filluar nga seanca e së enjtes.
“Kryesia ka vendosur që të enjten të zhvillojë një debat parlamentar, duke shtjelluar argumentet, se si Ilir Meta ka sulmuar Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, që quhet ç’dekretim. Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë zyrë. Do fillojmë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga Presidenca të enjten”, deklaroi Spiropali.
Lëvizjet e PS
Mazhoranca pas mbledhjes së Kryesisë nisi procedurat për mbledhjen e firmave. Në ligj thuhet se për të nisur procedurat për shkarkimin e presidentit nevojiten firmat e ¼ së deputetëve. Por këto firma janë mbledhur që dje, ndërkohë që ditën e enjte Kuvendi do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme, ku do flasin deputetë të PS dhe opozitës dhe në fund do të votohet një rezolutë për shkarkimin e Metës. Madje, për të legjitimuar nismën e saj, mazhoranca do të bazohet tek neni 90 i Kushtetues, i cili thekson se Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.
Kështu që, nisur nga shkeljet e Metës, propozimi për shkarkimin e presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se 1/4 e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij, ose 93 deputetë. Ndërkohë që, referuar ligjit më pas vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Por duke qenë se Kushtetuesja nuk funksionon, PS ka edhe një strategji tjetër, sikundër është mosnjohja e vendimeve të Metës, në kushtet kur ai është shkarkuar nga detyra. Pra, mazhoranca njëkohësisht me shkarkimin e Metës, jo vetëm që nuk e njeh atë si president, por as vendimet e tij.
Procedurat e Kuvendit
Parlamenti nis procedurat për shkarkimin e presidentit, duke iu referuar nenit 112 të rregullores së Kuvendit. Në nenin 112 të rregullores së Kuvendit, thuhet se referuar pikës 2 të nenit 90 të Kushtetutës mblidhet firmat e ¼ së deputetëve dhe më pas hidhet në votim të fshehtë kërkesa për shkarkimin e tij. Për ta shkarkuar bëhet votim i fshehtë dhe nevojiten votat e 93 deputetëve. Kjo do jetë një sfidë për PS, duke qenë se në radhët e saj ka deputetë që flirtojnë me Metën.
Më pas, sipas procedurave Kuvendi ngre edhe një Komision Hetimor për të parë shkeljet e presidentit. Megjithatë, kjo mund të anashkalohet, në kushtet kur Meta ka kryer shkelje.
Opozita pritet të bashkojë votat me PS
Mazhoranca qeverisëse pritet që ta bëjë realitet nismën e saj për të shkarkuar Metën nga detyra, pavarësisht se nuk i ka 93 vota. PS në Kuvend ka 74 mandate. Ndërkohë që, pro PS janë edhe 3 deputetët e PDIU, si dhe Tom Doshi dhe ish-deputeti i LSI, Robert Bitri, duke e çuar në 79 numrin në total.
Por për të shkarkuar Metën nevojiten edhe 14 vota, kështu që sytë e PS janë nga opozita. Mirëpo, kjo e fundit ka shprehur gatishmërinë se do bashkojë votat me PS. Sinjalin e ka dhënë dje deputeti Myslim Murrizi, i cili deklaroi se do votojë shkarkimin e Metës, nëse ndryshon sistemi zgjedhor. “Kushti jonë është të ndryshojë sistemi zgjedhor”, deklaroi Murrizi. /Rigels Seliman