Ilir Meta duket sikur nuk ka aspak ndërmend të zgjidhë krizën politike. Të shtunën ai anuloi mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 30 qershor, por nuk përcaktoi një datë të re për zhvillimin e procesit zgjedhor. Ditën e djeshme u duk sikur u hodh një hap në këtë drejtim, por nuk rezultoi aspak kështu.
Pasditen e djeshme Meta pati planifikuar një takim me aleatët e Partisë Demokratike për të diskutuar rreth krizës politike dhe datën e re të zgjedhjeve, siç pretendon opozita. Por nga ky takim nuk pati asnjë produkt. Aleatët e PD (Dashamir Shehi, Agron Duka, Vangjel Dule, Nard Ndoka dhe Arian Madhi, përfaqësues i PR) u panë të futen në selinë presidenciale rreth orës 19:00. Ra në sy fakti që në takim mori pjesë edhe kreu i PSD, Paskal Milo. Por gjatë këtij takimi nuk u mor asnjë vendim i rëndësishëm.
Mesa duket, Ilir Meta ka vendosur të bëjë shou me çështjen e zgjedhjeve. Takimi i djeshëm me aleatët e Bashës që supozohej të jepte sinjale për zgjidhjen e krizës, rezultoi një takim rutinë. Ai zgjati vetëm gjysmë ore dhe në përfundim të tij nuk u mor asnjë vendim i rëndësishëm për datën e re të zgjedhjeve lokale si edhe nuk u dhanë sinjale se kriza politike mund të zgjidhet. Nga ana e Presidencës nuk ka asnjë njoftim zyrtar se për çfarë kanë diskutuar të pranishmit. Mesa duket ai ka qenë thjesht një takim informal gjatë të cilit është bërë shou për datën e re të zgjedhjeve lokale.
Flet Dashamir Shehi
Pas përfundimit të takimit me Metën në selinë e Presidencës, për mediat foli kryetari i Lëvizjes për Zhvillimin Kombëtar, Dashamir Shehi. Gjatë fjalës së tij edhe ai konfirmoi se takimi nuk prodhoi asgjë, ndryshe nga ç’pritej. Ai paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje politike, gjë e cila është shumë larg sepse mazhoranca është e bindur që zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor, atëherë opozita do të përshkallëzojë aksionin e saj përballë qeverisë.
“Qe një takim shumë miqësor dhe sipas tezës së presidenti, u munduam që të sqarojmë këtë situatë. E falënderuam për këtë që ka bërë për zgjidhjen e krizës, por gjykojnë se si takimi i parë në këtë situatë kaq të rëndë, idetë janë të përgjithshme. Aksioni opozitar nuk mund të reduktohet. Dita e zgjedhjeve duhet të jetë derivat i një analize tjetër, çfarë duhet të bëjmë që zgjedhjet të jenë të pranueshme.
Mundësia e një marrëveshjeje politike, që të merren në konsideratë kërkesat e opozitës. Është bërë një hap i vogël në rrugën e duhur. Data do të dalë nga marrëveshja politike. Pa asnjë propozim në tryezë. Jemi më afër një marrëveshjeje politike, nëse pala tjetër do vijojë me pretendimin se do bëhen zgjedhjen me datë 30 do bëhemi gati për aksione të tjera, rrethana të tjera”, deklaroi aleati i Bashës, Dashamir Shehi.
Kujtojmë që ky takim i Metës me partitë aleate të PD pritej që një muaj më parë. Në datën 30 prill ata i vajtën në zyrë presidentit për t’i kërkuar që të ndërhyjë për zgjidhjen e krizës politike. Pas takimit, Shehi, Duka, Mediu, Ndoka e Dule u shprehën optimistë, ndërsa Meta shpërndau një deklaratë për mediat ku sulmonte qeverinë e reformën në drejtësi.
Gjatë atyre ditëve pritej që Ilir Meta të ndërmerrte një nismë për të ulur partitë politike në një tryezë dialogu por nuk e bëri. Në 8 qershor ai mendoi se zgjidhja më e mirë për situatën politike do të jetë anulimi i zgjedhjeve vendore, por duket se gaboi. Ç’dekretimi i datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve jo vetëm që nuk e zgjidhi, krizën, por e thelloi më shumë atë. Pas këtij vendimi, po mbahen edhe takime “farsë”, produkti i të cilave është asgjëja. /Mimoza Ibra