Nga Mero Baze
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi raportin financiar të Partisë Demokratike për vitin 2017 dhe shifrat nuk rakordojnë. Lulzim Basha është tani përballë dy problemeve në Tiranë.
E para, përballja me ligjin për financimin e partive politike dhe rreziku që të penalizohet për fallsifikim të dhënash, që sipas Kodit Penal, dënohet nga 3 deri 5 vjet burg. Dhe e dyta, të provojë që pagesat në SHBA kanë burim të pastër parash, pasi përndryshe duhet të përballet dhe me akuzën e pastrimit të parave.
Në rastin e parë, ai përballet me nenin 190, ku në paragrafin e fundit thuhet se kur fallsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentat dënohet nga 3 deri në 5 vjet burg.
Në rastin e dytë, do të pëballet me nenin 287 për pastrimin e produktve të veprës penale, ose veprimtarive kriminale, që dënohet nga 7 deri në 14 vjet.
Tani ka kaluar çdo afat kohor që Lulzim Basha të përmirësojë apo plotësojë të dhënat që ka deklaruar në KQZ, ndërkohë që për paratë e paguara në SHBA tek lobisti Muzin përmes një kompanie offshore me pronar rus, tani ka së paku 5 deklarata të ndryshme. Por kjo është çështje se si ai do të përballet në SHBA me këtë histori. Ndoshta ish- guvernatori Guliani, që e njeh dhe mikun e tij Alptekin, mund t’i japë këshilla për avokat të mirë.
Tek ne, historia ka të bëjë me dy ligje, atë të fallsifikimit të të dhënave dhe një mundësi tjetër për t’u përballur me akuzën e pastrimit të parave, nëse ai nuk provon se paratë e paguara në SHBA dhe të padeklaruara këtu, kanë origjinë të pastër.
E gjithë kjo histori po merret më lehtë se sa mendohet prej Partisë Demokratike. Të bindur se këtu liderët politikë mbrohen politikisht dhe jo me ligj, të gjithë e trajtojnë këtë çështje si problem i një njeriu që e ka për detyrë të bëjë çfarë të dojë me paratë e partisë së tij.
Në fakt, përtej përballjes me ligjin shqiptar, kjo është dhe një çështje e mprehtë e korrupsionit brenda Partisë Demokratike, ku askush nuk është pyetur për asgjë dhe nuk ka asnjë vendimmarrje institucionale për këtë anarshi financiare
Kritikët e Lulzim Bashës i kanë kushtuar pak rëndësi këtij debati, ndërkohë që e kritikojnë Lulzim Bashën dhe për probleme në ndonjë seksion të PD. Në mënyrë të pakuptueshme ata kanë shmangur goditjen ndaj tij, ndaj një çështje e cila është thelbësore për mënyrën se si drejtohet një parti. Dhe meqë ata e kanë betejën brenda partisë, kjo çështje është krye-skandali i asaj partie për 27 vjet, pasi asnjëherë nuk ka pasur akuza brenda partisë për abuzime të tilla financiare.
Shkelja me të dy këmbët e ligjit shqiptar, por dhe statutit të PD-së për mënyrën se si “qeveriset” vetë PD, është një çështje thelbësore për figurën e kryetarit të parties, dhe kritikët e tij nuk duhet të kompleksohen.
Sot, një nga presidentët më popullor të Francës përfundoi në qeli, pikërisht për disiplinën financiare të partisë së tij, që ishte financuar nga lekët e Gadafit.
As Sarkozia nuk i mori për vete paratë nga Gadafi (për Bashën as për këtë se vë dot dorën në zjarr), por arroganca me të cilën ai vendosi të financohej nga një tip i tillë dhe rruga se si kanë mbërritur paratë atje, e bëjnë atë një person të ndjekur nga drejtësia franceze.
Ndaj çështja e Bashës duhet marrë seriozisht jo vetëm si një person që ka problem me ligjin shqiptar, por mbi të gjitha dhe si një person që duhet të ketë problem me partinë e tij, me mënyrën jo transparente dhe harbute të përdorimit të parave të zeza dhe përfundimin banal të tij në grackat e mafias ruse, që merret me influencën politike në Uashington.
Ideja se drejtësia jonë nuk do të veprojë në këtë rast, pasi është çështje politike, nuk është një gjykim i pjekur politik. Ata që shpresojnë që drejtësia do bëjë pazar për Lulzim Bashën, janë duke gabuar dyfish, pasi PD ose do ketë një lider të pastër dhe të pakapur nga askush, që mund ta sjellë në pushtet, ose do ketë në krye dikë, që sa herë të bezdisë qeverinë, t’i kujtojnë prangat. Është më mirë që PD të shpëtojë nga Basha, në qoftë se ai nuk është njeri i lirë, se sa Basha të shpëtojë tërë jetën nga burgu prej PD-së. Duke e lënë atë në opozitë.