Ndonëse Shqipëria është para një momenti historik, siç është ai i çeljes së negociatave, vendin e ka pushtuar një krizë e thellë politike. Ndërkombëtarët një zëri u kanë bërë thirrje palëve të reflektojnë dhe të ulen në tryezë dialogu, pasi sipas tyre kriza politike po pengon integrimin europian të vendit.
Një gjë të tillë ka shprehur ditën e djeshme edhe kreu i Komisionit europian, Jean Claude Juncker. Gjatë një deklarate për shtyp, ai u shpreh kundër dekretit të presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve, duke thënë se ato duhet të mbahen në 30 qershor kur janë përcaktuar nga Kushtetuta.
Juncker deklaroi se askush nuk ka të drejtë tu bllokoj shqiptarëve të drejtën për t’u shprehur përmes votës, duke theksuar se nëse në Shqipëri do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve do të ketë edhe shtyrje të perspektivave europiane.
“Një nga gjërat që po shkakton shqetësim aktualisht në Bashkimin Europian është situata aktuale politike, pas njoftimit të presidentit Meta se do të anulojë zgjedhjet e 30 qershorit. Njerëzve nuk u duhet ndaluar ushtrimi i të drejtave të tyre demokratike. Nuk ia bllokon dot popullit shqiptar mundësinë për tu shprehur; mendoj se zgjedhjet duhet të zhvillohen sipas planit. Nëse jo, kjo mund ta shtyjë perspektivën europiane të Shqipërisë”, theksoi Juncker.
Integrimi
Presidenti i KE-së Jean-Claude u shpreh qartë dhe prerë se zgjedhjet në Shqipëri duhet që të zhvillohen në datën e përcaktuar dhe qytetarët nuk duhet që të pengohen për të votuar. Ai tha se anulimi i zgjedhjeve, shtyn perspektivën Europiane të Shqipërisë. “90% e shqiptarëve e mbështesin reformën për të mirën e qytetarëve dhe të vendit. Reformat nuk bëhen për të përfituar disa institucione, por për njerëzit e Shqipërisë për të jetuar në një shoqëri të ndershme ku shteti ligjor respektohet dhe shteti është i besueshëm.
Nuk ka arsye më të fortë se kjo për të vijuar këtë progres impresiv. Për KE-në duke u bazuar në vlerësime objektive, Shqipëria është gati për hapin e radhës. Prandaj i kërkuam KE-së hapjen, por ka disa pengesa për t’u kaluar. Autoritetet shqiptare kanë plotësuar kërkesat. Nëse i kërkojmë një vendi të bëjë këtë apo atë dhe ai i plotëson nuk kemi si i themi ‘JO’.
Unë jam në favor për hapjen e negociatave, pasi Shqipëria ka plotësuar kërkesat, por nuk është sekret se disa vende kanë disa shqetësime”, tha ai. bunker tha se lufta kundër kanabisit është shembull, ndërsa theksoi se ka shumë rëndësi uniteti politik në rrugën drejt BE.
Reagon Kocijancic
Një ditë pas votimit në Parlamentin e Holandës i cili u shpreh kundër hapjes së negociatave me vendin tonë, Komisioni Europian vijon t’i qëndrojë me bindje rekomandimit për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë. Zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijancic, është shprehur se qëndrimi i Presidentit Juncker, ishte i prerë edhe për rastin e Shqipërisë, dhe se kjo u tha qartë në konferencën me Kryeministrin Edi Rama: “Raporti tregon se të dyja, si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë treguar një vendosmëri të fortë për të avancuar në rrugën drejt BE-së.
Ata kanë arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme. Bazuar në këtë, Komisioni ka rekomanduar që Këshilli të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe tani i takon pikërisht Këshillit që të përcaktojë hapat e mëtejshëm. Do doja t’ju kujtoja gjithashtu se çfarë tha Presidenti Junker kur takoi KM e Shqipërisë, pak ditë më parë, kur ishte ekstremisht i qartë se çfarë ai dhe Komisioni mendojnë”, tha Kocijancic.
Elisjeda Kiko