Kryeministri Edi Rama ka ripublikuar për profilin e tij në rrjetet sociale përgjimin e ‘Bild’ nga dosja hetimore “184”, duke thënë se nuk ka asgjë për të fshehur.
Kreu i qeverisë shkruan se publikimi i këtyre audio-përgjimeve, ku ai përmendet për herë të parë, ka cenuar jo vetëm dinjitetin e tij, por edhe të vendit, për këtë arsye njofton se do të padisë në gjykatat gjermane gazetarin Peter Tiede, i cili ka publikuar audio-përgjimet e dhëna nga segment antireformë.
“Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar,ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacënueshme,le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar”, shkruan Rama.
Rama ka konfirmuar bisedën e bërë me Arben Keshin, duke theksuar se në atë bisedë nuk ka asgjë të gabuar dhe se do e bënte sërish si bisedë, po njësoj. Ndryshe nga ç’pretendon ‘Bild’, Rama shkruan se Arben Keshi në atë kohë nuk ka punuar në Polici, por ka qenë më herët kandidat për komunën e Maqellarës.
Gjithashtu, kreu i qeverisë shkruan se fakti që u publikuan vetëm një ditë para se KE të japë vendimin për çeljen e negociatave me BE, është një tregues i pastër se nuk bëhen për të vënë drejtësinë, por për shantazh. Teksa nxit prokurorinë që të hetojë intensivisht, sipas tij pas këtyre audio-përgjimeve, fshihen ato që ai i quan “shërbëtor të Saliut”.
Në fund, rithekson se zgjedhjet nuk do të shtyhen, por do të mbahen më 30 qershor.
Ja pjesë e bisedës:
Edi Rama: Hë mo si duket
Arben Keshi: Po mirë, mirë ke pritshmëritë jemi
Edi Rama: E keni realizu objektin thua?
Arben Keshi: Them që po. Tani me pjesën e asaj që po na thonë komisionerët e kemi realizuar.
Edi Rama: Ashtu eh?
Arben Keshi: Them që po
Edi Rama: Po ata maskarenjtë kishin bo presion m’thanë
Arben Keshi: Po deshin të më kapin mua ato po ndodhi punë dy minutash unë sa u futa te Shtabi se më prisnin te hoteli ku fleja
Edi Rama: Ca të bënin ty ato
Arben Keshi: po ishin nja 50 veta,thjesht me kët pjesën e presionit më goditën e kshu Ai është legen ai, Ai Flamur Noka është.
Edi Rama: Ku ta del dot ty Flamur Noka mo burrë
Arben Keshi: Jo mo ai thjesht është.. edhe ky djali sa doli…Ato menduan se unë isha në makinë, rrethh 50 vetë. Jo se bënë ndonjë gjë, sa e goditën, po problemi është se iku edhe se kapëm dot.
Edi Rama: Më mirë se edhe sherret, c’i do sherret. Dëgjo, po ti mendon se e ke realizu objektivin ?
Arben Keshi: Unë të them që po nëse mund të lëvizë mund të lëvizë pak ose më shumë po tani nga ata që kanë thënë komisionerët jemi në pritshmëri të mëdhaja.
Edi Rama: Komisionerët i ke pas top eh?
Arben Keshi: Po po, i kam pas shumë të mirë.
Edi Rama: Ok, mire vllai
Arben Keshi: Ishalla, mire faleminderit
Edi Rama: ok, ciao ciao../Shqiptarja.com