Policia ka vënë në pranga një tjetër person, i cili dyshohet se është i përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronave në Lezhë. I arrestuari është Lekë Frroku. Ai është arrestuar në afërsi të Rinasit gjatë një kontrolli të rastësishëm. Lekë Frroku, ndryshe njihej si krahu i djathtë i kryebashkiakut Fran Frrokaj, dhe një nga përfituesit kryesorë të grabitsjes së tokave.
Skema
Sipas policisë zyrtarët dhe ish-zyrtarët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar me detyrën dhe kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.
Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumenta të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemtore. Më pas është rregjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshe Lezhë (ZRPP), duke përfituar padrejtësisht në interes të tyre dhe personave të tjerë.