Niveli i lartë i edukimit dhe kërkimit shkencor e ndihmon një shtet të orientohet me lehtë drejt zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimit me efikasitet të kapitelit njerëzor dhe burimeve natyrore.
Por Shqipëria duket se edhe në këtë drejtim është shumë dobët në raport me vendet e Europës por edhe në rajon.
Shqipëria ka numrin më të ulët të personelit në fushën e kërkim-zhvillimit ( R&D) në rajon e për rrjedhojë është e fundit për sa u përket fondeve që ka përfituar nga programi europian Horizon 2020, sipas një studimi të fundit mbi Edukimin dhe Kërkimin në Ballkanin Perëndimor.
Horizon Europe është një nismë 7-vjeçare e Bashkimit Europian për kërkimin shkencor që synon të aplikohet nëpërmjet programit aktual Horizon 2020.
Komisioni Europian ka hartuar dhe miratuar një plan për Horizon Europe për të rritur nivelet e shpenzimeve të shkencës së BE nga 50% gjatë viteve 2021-2027.
Të dhënat tregojnë se Serbia ka numrin më të lartë të personelit shkencor në rajon me rreth 2030 persona për 1 milion banorë.
Më pas në renditje vjen Mali i Zi me 847 persona të aktivizuar në R&D për 1 milion banorë, Maqedonia me 754 persona për 1 mln banorë, Bosnja 366 persona për 1 mln banorë dhe e fundit renditet Shqipëria më 262 persona në fushën e kërkim-zhvillimit për 1 mln banorë.
Për rrjedhojë, Shqipëria renditet e fundit në rajon për fondet që Bashkimi Europian ka vënë për kërkimin shkencor gjatë periudhës 2014-2017.
Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria përfitoi vetëm, 1 9 milionë euro, ndërsa Serbia 60 milionë euro. Maqedonia dhe Bosnja përfituan secila nga 5.3 dhe 3.8 milionë euro.