Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh dhe drejtues politik i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla në vijim të takimeve për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit zhvilloi gjatë ditës së sotme një takim me vajza dhe gra të qytetit të Elbasanit.
Në fjalën e tij, Balla tha: “Ta harrojë Luli dhe Saliu, Iliri e Monika që mund ta kthejnë Shqipërinë pas. Shqipëria do të shkojë përpara, Shqipëria do të vijojë reformat që ka ndërmarrë dhe do të votojë më 30 Qershor si dhe do ti hapë negociatat me BE këtë vit”.
Në vijim të fjalës së tij Balla, në sallën ku mernin pjesë mbi 1000 gra e vajza nga Elbasani theksoi se ato që vuajnë më shumë kur shohin dhunë në televizion janë nënat.
“Kam shumë vite në politikë, por një sallë kaq të mbushur me gra dhe vajza, nëna e motra, të cilat janë mbledhur jo vetëm për të mbështetur Gledin dhe PS, por gjithashtu për të dhënë një mesazh kuptimplotë për të gjithë Shqipërinë. Elbasani i vërtetë jeni ju. Nuk ka më mirë se sa mesazhin për atë që ka nevojë Shqipëria dhe Elbasani ta jepni ju. Ju që dini më mirë hallet e një shtëpie, që dini më mirë problemet e një shoqërie. Kush janë ato që vuajnë më shumë kur shohin në televizion dhunë? Janë nënat, teksa shqetësohen për djemtë e tyre, ndonjëri prej tyre i shtyrë nga liderë politikë që kanë humbur arsyen, janë nënat ato që shqetësohen për djemtë e tyre që kryejnë detyrën e rëndësishme të punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili ka për detyrë të mbrojë rendin, publik, institucionet”.
Sipas Ballës, sfida kryesore e maxhorancës mbetet punësimi dhe se Shqipëria nuk ka më nevojë për zjarr, dhunë, protesta, por ka nevojë për punë.
“Janë nënat dhe motrat ato që janë më të prekshme kur bëhet fjalë për punësimin. Ne kemi arritur të bëjmë një punë të mirë, por ende nuk jemi aty ku kemi dashur të ishim me punësimin. Mjaft më me politikanë që veçse për të kërkuar një karrigë janë të gatshëm ti vënë zjarrin Shqipërisë, teksa Shqipëria nuk ka më nevojë për zjarr, dhunë, protesta, por ka nevojë për punë. Shqipëria e punës nuk është Shqipëria e atyre që mblidhen një herë në javë apo njëherë në muaj në bulevard në 5000 metra katrorë 3000 njerëz, pjesa më e madhe e tyre në punë nëpër bashkitë respektive. Shqipria e punës është përpjekja e përbashkët për të krijuar sa më shumë sipërmarrje që krijojnë vende pune dhe për të ndikuar në imazhin pozitiv të Shqipërisë.”, theksoi Balla
Më tej gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se 30 qershori është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Sa më shumë të afrohet dita për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, SPAK apo BKH Saliu, Luli, Monika e Iliri do të bëhen bashkë, sepse kanë hesape të hapura me drejtësinë në Shqipëri.
Sa i përket historisë së përgjimeve, Balla tha se në demokraci gjyqin nuk e bën njëra palë kundër palës tjetër, por e bën drejtësi që është mbi të gjitha.
“Ne socialistët kemi vendosur një standard, të cilin duhet ta respektojmë të gjithë. Në momentin më të parë që një përfaqësues i PS është vënë nën akuzë nga Prokuroria ai nuk ka më vend në PS, por të shkojë atje dhe të qartësojë pozicionin e vet. Ky duhet të jetë një standard që duhet ta respektojnë të gjithë. Në rastin e Lulzim Bashës, i cili për fat të keq po shkatërron PD-në teksa vihet në akuzë për një prej veprave më të rënda, siç është financimi i PD nga burime financiare me pronësi oligarkësh rusë. Shqipërinë duam ta shohim në të njënjtën linjë me SHBA dhe jo me stepat ruse. Një politikan që nuk është në të njëjtën linjë me SHBA dhe BE nuk i shërben Shqipërisë. Një politikan që nuk vendos mënd teksa SHBA dhe BE thonë të tërhiqet nga dhuna ndaj institucioneve nuk i duhet Shqipërisë”, shtoi ai.
Duke folur për situatën e rendit dhe sigurisë në Elbasan, Balla nënvizoi se shteti jo vetëm në Elbasan, por dhe në çdo qytet tjetër të vendit do të vazhdojë përpjekjen pa kompromis kundër çdo grupi kriminal.