Bastioni i socialistëve në Tiranë, Njësia 5 ishte ndalesa e radhës e takimeve elektorale të kandidatit të koalicionit të majtë, Erion Veliaj, ku ai foli për punët e mira të kryera në këtë njësi, si dhe për projektet e tjera që presin të realizohen në mandatin e tij të dytë.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj u ndal te përpjekjet e opozitës për të penguar shqiptarët të votojnë, ndërsa theksoi se protesta e fundit tregoi ëdhe një herë sesi krerët e opozitës përdorin fëmijët e shqiptarëve për të goditur policinë dhe institucionet publike për interesat e tyre të ngushta.
“A e vutë re mbrëmë? Kur protesta është paqësore marrin kalamajtë e tyre. Kur protesta është e dhunshme, marrin kalamajtë e shqiptarëve. Pra, kalamajtë e mi do vijnë vetëm kur protesta të jetë paqësore. Kur të vendos unë që do jetë e dhunshme, do ja vëmë kapuçin djalit të një shqiptari. Do ja vëmë fishekzjarrin me barut në dorë gocës së një shqiptari. Do ja vëmë të thotë fjalët e ndyra një fëmije tjetër shqiptari. Do ja vëmë t’ja kërcasë me tullë policisë, një fëmije tjetër shqiptari.
Kur protesta të jetë e qetë prej shpullave të amerikanëve dhe të europianëve, do sjellim kalamajtë tanë. Por, po plasi sherri, kalamajtë tanë do t’i çojmë në një vend të sigurt, se do theren kalamajtë e shqiptarëve me shqiptarë të tjerë, që kanë kalamaj për të rritur. Ja kjo është logjika!”, tha Veliaj.
Ai theksoi se ndërkohë që Saliu, Luli, Mona dhe Iliri mundohen që të fusin përçarje mes shqiptarëve dhe tentojnë që të bllokojnë zhvillimin, fëmijët e tyre i çojnë në shkolla dhe parqe jashtë vendit. “Mos motra dhe vëllezër, mos i lini që të na përçajnë. Ka tentativa çdo natë nëpër banaqe, nëpër Facebook, me Saliun me Lulin me Monën me Ilirin, çdo natë, që të na fusin frymën e përçarjes. E dini pse?
Se duan që mos të merremi me problemet tona, nuk i duan ata këto biseda për shkolla për parqe. Pse? Kalamajtë e tyre nuk shkojnë në shkollat tona, as në çerdhet tona, nuk shkojnë as në kopshtet tona, nuk shkojnë as në parqet tona. Ata shkojnë jashtë, ata shkojnë të gjithë në Disneyland, nuk shkojnë tek këto parqet tona”, tha ai.
Ndaj, theksoi ai, kjo është një arsye më shumë për çdo socialist dhe qytetar tjetër që në këto ditë të fundit të fushatës të flasë me çdo përkrahës të opozitës dhe t’i shpjegojë se 30 qershori është një ditë kur vendoset për fatin e fëmijëve tanë dhe jo të kryetarëve të partive të opozitës.
“Miqtë e mi, flisni këto 8 ditë me 8 demokratë, me 8 të LSI, me 8 të PDIU, secili. Nga një në ditë, dhe bëjani këtë bisedë, bëjani këto pyetje, flisni për hallet që kanë, për problemet, çfarë mund të bëjmë që të ndihmojmë njëri-tjetrin.
Flisni jo vetëm se ne e kemi fiksim të jemi partia më e madhe e të gjitha kohërave, se tashmë jemi partia më e madhe të gjitha kohërave, por kjo bisedë është antidot për helmin që hidhet çdo natë, që të na vërë të zihemi me njëri-tjetrin. Kjo bisedë është ilaç për gjithë këtë përçarje që mundohet të injektohet në shoqëri, që mundohet të na vërë kundër njëri-tjetrit”, tha Veliaj.ha Veliaj.