Nga Besar Likmeta
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit hapi siparin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të mërkurën, duke mbajtur seancën e parë dëgjimore ku u morr në shqyrtim integriteti i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo.
Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur gjithashtu si procesi i vetingut, bazohet në tre shtylla kryesore; lidhjet me krimin e organizuar, integriteti profesional dhe deklarimi i pasurisë. Trupa gjykuese gjatë seancës dëgjimore përbëhej nga gjyqtarët Genta Tafa Bungo, Etleda Çiftja dhe Brunilda Bekteshi, ndërkohë gjyqtari Lulo nuk ishte i pranishëm dhe zgjodhi të përfaqësohej nga avokati Ardian Visha.
Relatorja e çështjes Etleda Çiftja deklaroi se kontrollin pasuror i gjyqtarit i udhëhequr nga ILDKPKI, kishte ngritur dyshime të arsyeshme se gjyqtari Fatos Lulo ‘ka mungesë burimesh financiare dhe ka bërë deklarim të rremë’ për një numër pasurish të deklaruara.
Asetet për të cilat gjyqtari akuzohet se nuk është i aftë t’i shpjegojë më burimet e tij financiare përfshijnë pasuri të paluajtshme si një apartament në rrugën Sami Frashëri në Tiranë, një apartament në rr. e Durrësit, si dhe një zyrë në Rr. Ismail Qemali.
Gjithashtu, KPK ka vlerësuar si deklarim të rremë në ILDKPKI edhe dhuratën e marrë nga e motra Drita Lulo në vitin 2008 me vlerë 100 mijë USD, shitjen e një apartamenti në Toronto të Kanadasë me vlerë 160 mijë dollarë kanadez, një hua prej 480 mijë USD nga e motra e shlyer brenda vitit 2005 dhe një depozitë prej 400 mijë dollarë kanadez në Toronto, që sipas gjyqtarit Lulo ka ardhur nga puna e tij si emigrant në Kanada.
Sipas relatores Çiftja, informacionet e marra nga një numër institucionesh kishin krijuar bindjen se gjyqtari Lulo kishte mungesë burimesh financiare të ligjshme për asetet e deklaruara dhe ato përbënin deklarim të rremë. KPK i pati dhënë 15 ditë kohë gjyqtarit për t’u njohur me dosjen dhe për të dhënë shpjegime. Vendimi për rastin e parë të vetingut pritet të jepet ditën e premte më 23 mars.
Gjatë seancës dëgjimore, në emër të gjyqtarit Fatos Lulo, avokati i tij mbrojtës i kundërshtoi akuzat për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë. Sipas avokatit Visha, akti i vlerësimit të pasurisë së Lulos nga ILDKPKI ishte i ‘cungët’, përmbledh një periudhë 14 vjeçare gjatë së cilës ky institucion nuk ka ngritur shqetësime për deklarimet e gjyqtarit edhe ku atij i ka rënë shorti për kontroll administrativ.
Pas senacës dërgjimore avokati Visha i tha gazetarëve se akuzat ndaj Lulos ishin të ngjashme me një gjueti shtrigash.
“Legjitimiteti i të ardhurave të saj, sikurse vllazëria e shëndetshme dhe raporti tërësisht shqiptar vëlla-motër janë për ne krejtësisht të provueshme. Natyrisht nën etiketimin e kulakut të çdo gjyqtari e prokurori e keni shumë të lehtë të thoni dhuratat qindra mijëra euro, në para janë 100 mijë dollarë dhe një zyrë kaq janë”,
Lulo është diplomuar si jurist në Universitetin e Tiranës në fillim të viteve 1980 dhe gjatë regjimit komunist ka shërbyer si jurist në Zyrën e Kryeministrit, Adil Çarçani, dhe në Ministrinë e Punës. Nga viti 1994 deri ne vitin 1999, i ushtroi detyrën e tij si avokat në Tiranë, me kursimet e së cilës ka justifikuar një pjesë të aseteve në deklarimin fillestar pranë ILDKPKI në vitin 2004. Sipas biografisë së tij, më 1999 emigroi në Kanada ku punoi si jurist në zyrën e Emigracionit të Kanadasë para se të kthehej në Tiranë më 2002 si avokat. Më 2003 u zgjodh komisionet në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit. Ai vijoi karrierën si avokat deri më 2005 kur u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë. Nga viti 2013 e mbrapa ai emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Avokati Ardian Visha deklaroi gjatë seancës dëgjimore se Tatimet nuk kishin dokumentacion për periudhën 1994-1999 kur Lulo ka punuar si avokat në Tiranë, por vetëm për vitet 2004-2005, kur gjyqtari Lulo e ka ushtruar përsëri këtë profesion.
Visha gjithashtu shtoi se e motra e gjyqtarit Drita Lulo kishte të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar dhuratat e bëra në para të thata dhe pasuri të paluajtshme ndaj të vëllait. Si provë Visha depozitoi të ardhurat e deklaruara të Znj. Lulo për vitit 2011-2017, që tre gjyqtaret e KPK-se vendosën t’i pranonin. Motra e Lulos, Drita, ka punuar më parë si inxhiniere civile në kompaninë e ndërtimit “Teknoprojekt”.
NJë investigim i BIRN në vitin 2012, ngriti dyshime mbi dhurata e mëdha në ‘cash’ të marra nga gjyqtari, të cilat konsiderohen një flamur i kuq në praktikat ndërkombëtare të transparencës financiare të zyrtarëve publike. Në atë kohë ILDKPKI i tha BIRN se kishte filluar një hetim administrativ ndaj gjyqtarit, por ky hetim administrativ duket se nuk prodhoi rezultate.
Visha i justifikoi dhuratat e Drita Lulos ndaj të vëllait, duke nënvizuar se ky i fundit i kishte falur apartamentin e prindërve në vitin 1997. Megjithatë, në deklratën e tij fillestare në ILDKPKI në vitin 2004, një kopje e së cilës është administruar nga BIRN pas një kërkese për të drejtë informimi, gjyqtari pretendon se këtë apartament e ka shitur dhe me të ardhurat e marra ka blerë një apartament tjetër. Avokati gjithashtu pretendoi se huaja nga e motra ishte marrë për një projekt biznesi në Kanada i cili nuk ishte materializuar dhe paratëishin kthyer në të njejtin vit.