Nga Mero Baze
Letra e Presidentit Ilir Meta drejtuar Shefit të OSBE në Vjenë, Lajçak, vlen vetëm për të kuptuar se kujt mund t’i dërgojë aktualisht letër Ilir Meta. Ose më mirë, tregon se sa pak kuti postare ka, që pranojnë letra prej tij.
Letra nuk ka ndonjë dallim nga ato që Presidenti thotë dhe vepron publikisht si udhëheqësi më protagonist i opozitës.
Ai nuk e ka fshehur deri tani se mbështet kauzën e opozitës, mbështet bojkotin e zgjedhjeve dhe Parlamentit, mbështet protestat e dhunshme mbi institucionet, dënon reagimin e Policisë së Shtetit, urren Bindjen Demokratike, por mbi të gjitha nuk e ka fshehur që mbështet taktikën e opozitës për të nënshtruar sistemin demokratik në Shqipëri.
Në këtë pikë letra nuk të çudit, dhe nuk ja vlen as të komentohet.
Por siç thashë, letra vlen për të kuptuar se Ilir Metës i kanë mbetur shumë pak dyer për të trokitur.
Një letër të tillë ai mund t’ia niste Sekretarit Pompeu, por meqë gruaja e tij, një muaj më parë ishte vetë në SHBA dhe është sqaruar dhe bindur se SHBA nuk ka nevojë të sqarohet për gjendjen në Shqipëri, nuk ja ka shkruar atij.
Mund t’ia niste dhe Presidentit të BE, por meqë një javë më parë Presidenti Junker, e tha qartë pikpamjen e tij, dhe u duk se ishte i sqaruar, Ilir Meta nuk ia ka dërguar.
Mund t’ia çonte dhe Kancelares Merkel, apo Presidentit Macron, por dhe ata janë të qartë.
Ja ka çuar zotit Lajçak, jo se ai nuk është i qartë, por se shpreson që të bëjë dhe një diversion me këtë rast, me përfaqësinë e OSBE në Tiranë, duke u treguar këtyre që ky mund të komunikojë me shefin e tyre direkt.
Kjo është një gjë qesharake, por që tregon seriozitetin me të cilin Ilir Meta ka vepruar për të institucionalizuar linjën revolucionare antiinstitucionale të opozitës në Shqipëri.
Dhe në këtë pikë mendoj se i ka bërë dhe nder qeverisë. Zoti Lajçak do të ketë mundësinë të kuptojë nga vetë letra, se Presidenti është në krye të punëve të këtij revolucioni dhe po kërkon ndihmën e OSBE për t’i dhënë shanse të trimufojë.
Por problemi që ka OSBE, është se ajo merret me zgjedhje dhe jo me revolucion. OSBE është e vetmja adresë e gabuar për të ndihmuar revolucionin, pasi ajo ekziston ende, pikërisht se ka parti që prishin zgjedhjet. Biles më saktë, OSBE mund të ishte shkrirë, nëse nuk do të vidheshin votat nga tipa si Sali Bersha më ‘96, Ilir Meta më 2001 e në vazhdim.
Ndaj zoti Lajçak, edhe pse nuk është armiqësor me Ilir Metën, pasi e ka shpëtuar një herë pas vrasjeve më 21 janar, nuk e ndihmon dot, pasi i ka shkruar njeriut të gabuar. Por nuk ka faj, pasi Presidenti ynë, nuk ka kujt t’i shkruajë.