Partia turke në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka humbur zgjedhjet lokale në Stamboll.
Kandidati i partisë kryesore opozitare, Ekrem Imamoglu ka fituar 54 për qind të votave, teksa janë numëruar pothuajse të gjitha votat.
Ai kishte fituar edhe zgjedhjet lokale të mbajtura në muajin mars, të cilat u anuluan, pasi Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit, Recep Tayyip Erdogan u ankua për parregullsi zgjedhore.
Kundërkandidati i tij, nga partia në pushtet, Binali Yildirim ka pranuar humbjen. Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka përgëzuar fituesin e këtyre zgjedhjeve.
“E uroj Ekrem Imamoglun, që ka fituar zgjedhjet, bazuar në rezultatet preliminare”, ka shkruar ai në Tëitter.
Në fjalimin e tij të fitores, Imamoglu tha se rezultatet e zgjedhjeve shënojnë “një fillim të ri” si për qytetin e Stambollit, po ashtu edhe për shtetin.
“Po hapim një faqe të re në Stamboll. Në këtë faqe, do të ketë drejtësi, barazi dhe dashuri”, u shpreh ai.
Ai shtoi se është i gatshëm të punojë me presidentin Erdogan, duke thënë “zoti president, jam i gatshëm të punoj në harmoni me ju”.
Sipas rezultateve, Imamoglu udhëheq me mbi 775 mijë vota, që shënon një ngritje të madhe krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura në muajin mars, ku ai kishte fituar me një diferencë prej 13 mijë votash.
Imamoglu është nga partia sekulare, Partia Republikane dhe ka qenë kryetar i qarkut Beylikduzu të Stambollit.
Kundërkandidati i tij është Binali Yildirim ka qenë kryeministër i Turqisë prej vitit 2016 deri më 2018 dhe ka shërbyer edhe si ministër i Transportit dhe kryetar i Parlamentit truk.
Zgjedhjet e sotme lokale janë parë si test për presidentin Erdogan dhe partinë e tij.
Ndërkohë që opozita shqiptare duhet ta nxjerrë ndonjë mësim nga zgjedhjet në Turqi, ku opozita megjithëse dukej një mision i pamundur të fitonte në Stamboll, ia arriti vetëm me alternativë dhe përballje direkte, jo duke bojkotuar zgjedhjet dhe kërkuar pushtet në tavolinë.