Mëngjesi i kësaj të hëne ka nisur me një mbledhje të kryesisë së Partisë Socialiste në selinë rozë. Nga sa mësohet mbi atë se çfarë është diskutuar në takimin pa prani të medias, kreu i qeverisë, njëherazi kryesocialisti Rama, ka lënë porosi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që sipas tij nuk ka asnjë dyshim se më 30 qershor do të ketë votime. Kur na ndajnë vetëm 6 ditë nga mbajtja e votimeve, kryeministri ka vendosur që mitingu përmbyllës i fushatës elektorale të mbahet në qytetin e Vlorës, bastionin e PS-së, ku vetë Rama është deputet.
“Më 30 qershor të kemi një proces me standarde”, mësohet t ëjetë shprehur Rama në mbledhjen e kryesisë.
Sa i përket garantimit dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, kryesocialisti ka kërkuar të respektohet Kodi Zgjedhor, ndërsa sa i përket tentativave nga opozita joparlamentare për të penguar procesin, ka kujtuar edhe një herë ndëshkimet ligjore që ndërmerren: Burg, përjashtim nga administrata dhe ndalim deri në 10 vjet për të dalë jashtë Shqipërie, në SHBA dhe vendet e BE-së, siç Rama paralajmëroi dje nga takimi elektoral në Gjirokastër. Këto janë ndryshime në Kodin Penal që ende nuk kanë marrë votën e Kuvendit.
“Të jemi korrekt me procesin e administrimit zgjedhor. Të respektohet Kodi Zgjedhor. Kush prek votën dhe manipulon votën, do përgjigjet para ligjit”, tha Rama.
Po ashtu mësohet se Rama u ka lënë porosi socialistëve të dokumentojnë me filmime shkeljet në 30 qershor.
Ndërkohë në orën 11:00 në selinë e PS-së mbërriti kryesuesja e misionit të ODIHR për zgjedhjet, Glover ku pati një takim me kreun e Partisë Socialiste, Rama.