Opozita joparlamentare ka nisur një ofensivë sulmesh ndaj Kolegjit Zgjedhor pas vendimit për konfirmimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe paligjshmërinë e dekretit të Presidentit Ilir Meta për zhbërjen e zgjedhjeve. Në shënjestër të sulmeve janë pesë anëtarët e turpit gjykues Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Shkreli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj, të cilët votuan 5 me 0 në favor të zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor. S
ipas PD-LSI Kolegji Zgjedhor është kapur nga Edi Rama, përmes presionit me anë të Vetingut, duke nënkuptuar se Rama ka kapur edhe Vetingun. Po si qëndron e vërteta? Sa e sinqertë është opozita me akuzat e saj? Apo operon me dy standarde? Kush i ka zgjedhur anëtarët e Kolegjit Zgjedhor?
Së pari, tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor janë zgjedhur me datën 9 dhjetor 2016, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në atë kohë me kryetar Bujar Nishanin. Anëtarët janë zgjedhur përmes shortit. Në dhjetor të 2016 u zgjodh përmes shorti edhe Gjin Gjoni. Në atë kohë, KLD, kontrollohej nga Partia Demokratike, përmes ish-presidentit Bujar Nishani dhe një grupi anëtarësh. Pikërisht për shkak të kontrollit politik të KLD, në atë kohë pati shumë polemika dhe dyshime sa i takon shortit.
Së dyti, Astrit Kalaja, ka qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 2011, kur KQZ-ja dhe Gjykata e Zgjedhjeve i dhanë Lulzim Bashës Bashkinë e Tiranës, pasi humbi garën përballë Edi Ramës në përfundim të procesit të parë të numërimit.
Konflikti nisi pas përfundimit të procesit të numërimit të rregullt ku Edi Rama fitoi zgjedhjet me një diferencë prej 10 votash. Në këtë kushtet, pas urdhrit publik të PD, në atë kohë në pushtet, KQZ vendosi me një procedurë ekstraligjore të numërojë disa vota të hedhura gabim, ku edhe përmbysi rezultatin e zgjedhjeve. PS, në atë kohë në opozitë, e ankimoi këtë procedurë në Kolegj, por gjykata e zgjedhjeve legalizoi vendimin e KQZ.
PS, bëri një tjetër padi në Kolegj, ku tashmë kërkoi pavlefshmërinë e zgjedhjeve, duke sjellë si fakte mospërputhjen e numrit të votave me numrin e zgjedhësve. Edhe këtë padi Kolegji Zgjedhor e rrëzoi, duke emëruar Lulzim Bashën në krye të Bashkisë së Tiranë.
Pjesë e trupave gjykuese për shqyrtimin e padive të PD në vitin 2011 ka qenë edhe Astrit Kalaja. Në atë kohë Partia Demokratike dhe LSI i dolën në mbrojtje Kolegjit Zgjedhor, duke e konsideruar të pavarur. Tetë vjet më vonë, PD-LSI sulmojnë Kolegjin Zgjedhor, duke e akuzuar si të kapur dhe të trembur, ndonëse anëtarët e tij janë zgjedhur nga KLD-ja e Bujar Nishanit dhe një nga anëtarët ka qenë pjesë e Kolegjit në vitin 2011, pikërisht atij Kolegji që i dha Lulzim Bashës Bashkinë e Tiranës në tavolinë.
Së treti, Artur Malaj, i cili ka votuar pro mbajtjes së zgjedhjeve në 30 qershor, është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut. Komisioneri Publik ka vendosur që vendimin për konfirmimin e Malajt në detyrë ta ankimojë në Kolegjin e Apelimit.
Ndërkaq, procesi i Vetingut për Astrit Kalajën ka nisur që në shtator të 2018. Ai nuk ka dalë ende para Vetingut, por gjetjet e konstatuara nga KPK nuk e ndryshojnë fatin e tij. Edhe për Ridvan Hadon dhe Linida Sinanajn Vetingu ka nisur që më 15 nëntor 2018. Të tre gjyqtarët e kanë marrë tashmë mesazhin nëse do të konfirmohen apo shkarkohen nga detyra, pasi kanë disa muaj që shkëmbejnë e-maile me KPK, ndaj vendimi i tyre kundër dekretimit të Metës nuk ka lidhje me procesin e Vetingut.