Në një konferencë për shtyp, kryedemokrati Lulzim Basha e krahasoi kryeministrin Rama me Ramiz Alinë, kur tha se po organizon zgjedhje farsë njësoj si ai.Sipas tij, ndryshe nga Ramizi, Edi Ramën e pret një fat edhe më i keq.
“Kur komunzimi ra kudo në lindje, kur pluralizmi dhe liria triumfuan mbi robërinë, Ramiz Alia deshi t’u shiste shqiptarëve të etur për liri, pluralizëm fallso. U përpoq të bënte në shkurt 1991 zgjedhje gjoja pluraliste me organizatat e rinisë dhe të grave komuniste, por dështoi, sepse njerëzit nuk u mashtruan, sepse shqiptarët donin lirinë e vërtetë. Tre dekada më vonë. Jemi kthyer në të njëjtën situatë. Shqipëria është sot e rrënuar ekonomikisht. Krimet shtetërore janë bërë të padurueshme. Demokracia ka rënë.
Edi Rama po kërkon të mbajë zgjedhje farsë, gjoja demokratike për të zgjatur jetën e regjimit të tij kriminal dhe autokratik, edhe për pak. Njësoj si më 1991, qytetarët ftohen të shkojnë në qendra votimi, të marrin një fletë votimi, në të cilën ka një emër dhe ta hedhin atë në një kuti, pa asnjë fshehtësi. Njësoj si atëherë, vota është shpallur plumb kundër armiqve të regjimit.
Njësoj si atëherë, regjimi mundohet të shtypë pakënaqësinë e njerëzve. Ramiz Alia nuk e shpëtoi dot regjimin kriminal enverist. As Edi Rama nuk do ta shpëtojë dot regjimin e tij kriminal. Por fati i Edi Ramës duket se do të jetë më i keq se i Ramiz Alisë. Ramiz Alia i anulloi zgjedhjet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë zgjedhjeve pluraliste. Edi Rama ka vendosur t’i bëjë zgjedhjet e tij njëpartiake. Edi Rama nuk është as sa Ramiz Alia. Ai i anulloi votimet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë votimeve pluraliste. Edi Rama po përpiqet të bëjë edhe gjënë e fundit që bën çdo autokrat për ta mbajtur pushtetin: zgjedhje farsë. Por ky do të jetë fundi i tij”,- tha Basha.
Gazetari Erli Murati i ftuar në emisionin “Dritare me Rudinën” në “News 24” komentoi deklaratën e Bashës.
Murati tha se kjo ishte një deklaratë që ngjan teatrale. Ai shtoi se Basha përmendi Ramiz Alinë, që siç tha, nuk kishte fund tragjik dhe për më tepër një aleat sot i opozitës ka qenë i pranishëm në ceremoninë e fundit ceremoniale të Alisë.
“Zoti Basha doli dhe tha se Rama do ketë fund më të keq se Ramiz Alia. Alia është varrosur me ceremoni shtetërore. A e di Basha se Meta ka qenë në atë kohë duke përcjellë Alinë në ceremoni të fundit shtetërore. Të themi të drejtën, ndërkombëtarët ia kanë zënë kokën Berishës, Bashës dhe opozitarëve. Për mua ndërkombëtarët kanë marrë në dorë situatën në dorë. Është faji i drejtuesve opozitarë që iu mbushin njerëzve për gjëra që s’janë realitet”, tha gazetari Murati./Balkanweb)