Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se i ka futur këmbët në një këpucë kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Të hënën në mbrëmje kryebashkiakëve demokratë dhe krerëve të degëve të PD iu dërgua një qarkore, ku përcaktohet plani për të bllokuar zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në këtë dokument mes të tjerash bëhet thirrje edhe për mosbindje civile dhe konfrontime me policinë. Mirëpo, diçka e tillë ka vënë në alarm ndërkombëtarët, të cilët kanë mësyrë ditën e djeshme me urgjencë në zyrën e Bashës.
Që herët ishte e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses Ones, e cila zhvilloi një takim kokë më kokë me kryedemokratin Lulzim Basha, ndërsa më pas një takim i ngjashëm u zhvillua edhe me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigji Soreca. Pas takimit me zëvendësambasadoren amerikane, lideri i opozitës dha një deklaratë për shtyp, duke treguar qartë se diplomatët ia kanë futur këmbët në një këpucë. Sipas burimeve nga selia blu, mësohet se zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur qartë se nuk duhet të ketë asnjë tentativë për të bllokuar zgjedhjet e 30 qershorit, pasi liderët e opozitës do të përballen me pasoja. Ndërkohë që, ajo që e konfirmon një gjë të tillë është qëndrimi i Bashës, i cili gjatë prononcimit të tij para mediave mohoi qarkoren e shpërndarë për degët dhe kryebashkiakët e Partisë Demokratike. “Natyrisht, që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës që paguhen me paratë që u vidhen qytetarëve shqiptarë. Është një mashtrim total dhe një shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij mafioze”, deklaroi ai.
Tërheqja e Bashës
Në mbrëmje Bash doli në një tjetër deklaratë për media, ku tregoi qartë se amerikanët ja kanë mbledhur. Basha përdori si argument për deklaratën padinë e kryeministrit për gazetarin gjerman të Bild, por qëllimi ishte për t’u treguar ndërkombëtarëve se ai po tërhiqet nga dhuna. Basha deklaroi se nuk do të kërkojë pushtet me dhunë. Po ashtu, për herë të parë ai kërkoi që më 30 qershor të ketë bojkot dhe jo bllokim të procesit. Ai u bëri thirrje shqiptarëve që të bojkotojnë Ramën dhe “bandën” e tij, sikundër e quajti Basha. Qëndrimi i tij, ishte një ndryshim kursi 180 gradë. Në mëngjes Basha deklaroi se nuk do ketë zgjedhje, ndërsa në mbrëmje kërkoi bojkot. “Edi Rama është i mësuar me dhunën. Po kërkon ta mbajë pushtetin me dhunë dhe në aleancë me krimin.
Ai e di se vetëm nëse ka dhunë dhe përplasje civile do ti shpëtojë gjykimit. Por plani i tij për dhunë ka dështuar. Opozita nuk vjen në pushtet me dhunë por duke rrëzuar regjimin kriminal të Ramës me forcën e mendjeve dhe zemrave të bashkuara të shqiptarëve”, tha Basha në mbrëmje. Po ashtu Basha kërkoi që të ketë bojkot më 30 qershor, duke treguar se ai ka filluar të braktisë skenarët e Berishës dhe të tërhiqet nga dhuna. “Mënyra më e mirë për të përshpejtuar rënien e Edi Ramës, është braktisja e tij, është braktisja e oborrit të tij të kriminelëve, të klientëve, shërbëtorëve dhe veglave të tij.
Braktisini oligarkët e tij! Braktisini mediat e tij! Braktisini shërbëtorët e tij publikë! Ngrini zërin kundër tyre! Protestoni kundër tyre! Pengojini ata! Mos besoni propagandën e Edi Ramës! Mos besoni gënjeshtrat e lakejve të tij! Mos u bëni pjesë e shfaqjeve banale, që Edi Rama prodhon me mitingjet dhe aktivitetet e tij! Refuzojeni Edi Ramën! Refuzojini biznesmenët e tij grabitqarë! Refuzojini kriminelët që ai mban pranë! Refuzojini ata moralisht! Refuzojini shpirtërisht! Mbi të gjitha, braktiseni Edi Ramën politikisht! Unë e di se shumë njerëz të ndershëm, që punojnë në administratën publike apo që kanë biznese të vogla, apo veprimtari të tjera që kontrollohen nga inspektorët, policët apo veglat e tjera të Edi Ramës, janë nën terror për të dalë të dielën në zgjedhje. Por unë ju ftoj që t’i braktisni”, tha Basha.
Rigels Seliman