Nga studio e News24 në Elbasan, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla foli për situatën politike, iniciativën e maxhorancën për shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjet e së dielës.
Balla tha se shqiptarët e kanë fituar betejën me 4 politikanë të korruptuar, duke iu referuar Presidentit Ilir Meta, ish-kryeministrit Sali Berisha, kreut të PD-së Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi për të votuar në zgjedhjet e së dielës më 30 qershor.
Ai foli edhe për komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, për të cilin tha se do ngrihet 10 ditët e para të korrikut.
“Është një procedurë e vendosur në afatet që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit. Rregullorja përcakton që brenda 2 javëve nga marrja e njoftimi, komisioni i ligjeve përgatit raportin dhe e depoziton, e brenda 7 ditëve Kuvendi merr vendimin për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit. Brenda 10 ditëve të para të korrikut do të ngrihet dhe komisioni hetimor për shkeljen e rëndë nga ana e Presidentit të Kushtetutës. Procesi kalon edhe përmes Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS.Në lidhje me pjesëmarrjen në votime të dielën, Balla tha se në Shqipëri pjesëmarrja në zgjedhjet vendore ka qenë gjithmonë poshtë 50%. “Vapa patjetër që ka ndikimin e vet por shqiptarët e dinë dhe e ndiejnë përgjegjësinë që mbartin me votën e tyre. Njëherë në 4 vjet ke të drejtën të kontribuosh me votën tënde. Shqiptarët kanë fituar betejën ndaj 4 politikanëve të korruptuar”, tha Balla.