Mazhoranca qeverisëse nuk ka asnjë lëkundje sa i takon procedurave për të shkarkuar Ilir Metën. Edhe pse ky i fundit deklaroi se do të qëndrojë në detyrë deri më 2021, shkarkimi i tij nuk do të jetë shumë i largët. Dje Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi raportin me shkeljet e presidentit, i cili do të miratohet sot në seancë plenare dhe më pas hapet rruga e ngritjes së një komisioni hetimor, që do të evidentojë më me detaje tejkalimin e kompetencave nga ana e presidentit.
Gazeta ka siguruar raportin e plotë të miratuar nga ky komision, ku bëhet një panoramë shumë e qartë e të gjitha hapave të ndjekura nga mazhoranca, ndërsa evidentohen dhe shkeljet e kreut të shtetit. Aty jepen 13 argumente kundër presidentit, ku tregohen 8 shkelje dhe 5 arsye pse nuk mund të shtyhen zgjedhjet. Komisioni i Ligjeve, ka deklaruar në raport se Ilir Meta ka kryer 8 shkelje, të cilat klasifikohen tepër të rënda dhe për këtë arsye ai do të duhet të shkarkohet. Më konkretisht: Ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit; Ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit; Është sjelle arbitrarisht me pushtetin si pushtet ekzekutiv i pakufizuar, përkundër natyrës së Republikës Parlamentare; Ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve; Ka cenuar parimin e ushtrimit te pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira; Ka cenuar parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërinë; Ka nxjerrë një akt në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet e Kushtetutën; si dhe ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Më pas do të jetë Komisioni Hetimor, ai i cili do të hyjë në asketin juridik, për të nxjerrë nenet konkrete në Kushtetutë, Kodin Zgjedhor dhe ligje të tjera që janë shkelur nga ana e kreut të shtetit.
Argumentet e komisionit
Komisioni i Ligjeve ka dhënë më tej dhe argumentet se përse vendimi i Metës për të shtyrë zgjedhjet nuk qëndron. Në raport është bërë një listë me të gjitha argumentet, ku deklarohet ndër të tjera se terreni për zgjedhjet është gati dhe nuk mund të ketë kthim pas. “Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në ushtrim të kompetencave të dhëna nga Kushtetuta (neni 92/gj, ka nxjerrë dekretin nr. 10928, date 05.11.2018 “Për caktimin e datës zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Në bazë të këtij dekreti, është caktuar si datë e mbajtjes së zgjedhjeve, data 30 qershor 2019. Në përmbushje të këtij parashikimi, kanë filluar të gjitha procedurat sipas Kodit Zgjedhor për bërjen të mundur brenda afateve kushtetuese dhe ligjore të procesit zgjedhor. Konkretisht tashmë: Janë ngritur Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (Neni 28 i K. Zgjedhor); Janë përgatitur dhe shpallur listat e zgjedhësve (Neni 56 i K. Zgjedhor); Është kryer regjistrimi i partive politike (Neni 64 i K. Zgjedhor); Janë depozituar listat e kandidatëve të partive politike (Neni 67 i K. Zgjedhor); Ka filluar fushata zgjedhore (Neni 77 i K. Zgjedhor), etj”, thuhet në dokument.
Argumentet e deputetëve
Në raport përmendet dhe kërkesa e 55 deputetëve të PS. Aty tregohen dhe pretendimet e tyre për paligjshmëritë e presidentit. “Duke vlerësuar se me anulimin e datës së zgjedhjeve Presidenti ka kryer një shkelje të rëndë kushtetuese, një grup prej 55 deputetësh ka paraqitur një kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, bazuar në nenin 90/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 112 të Rregullores se Kuvendit, që normon procedurën që ndjek Kuvendi për shkarkimin Presidentit. Këta deputetë çmojnë se dekreti i Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore, është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një Republike Parlament të funksioneve të Presidentit të parashikuara nga Kushtetuta dhe të funksionimit e të ushtrimit normal të sovranitetit të popullit”, thuhet në raport./Kliti Topalli