Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, ka dhënë mesazhin e tij në takimin përmbyllës të fushatës elektorale të PS në Bashkinë e Tiranës.
Në fjalën e tij, ministri Majko ka komentuar deklaratën e zv.ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Mathew Palmer, se SHBA mbështet 30 qershorin si datë zgjedhjes.
Nga Sheshi Skënderbej, Majko është shprehur se SHBA foli qartë dhe vendosi pikat mbi I, zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor.
“Jemi mbledhur në këtë shesh simbolik me emrin “Europa”. Nën hijen e heroit tonë kombëtar Skënderbeu. Ne do të jemi ushtarët e Perëndimit në kutitë e votimit. E dëgjuat edhe nga Zëri i Amerikës, SHBA-të folën qartë dhe vendosën pikat mbi I. Zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor.
Ajo që duam t’ju themi sot edhe atyre që nuk do të dalin në votime, duam t’ju themi që ne socialistëve mund të na mundni vetëm tek kutia e votimit. Ne as nuk kemi pyetur dhe as nuk do të pyesim për molotov, forcë, të fortë për të shkuar dhe për të ushtruar të drejtën tonë kushtetuese të votës.
Ne e dimë se nuk mund të bëjmë Shqipërinë pa ata të cilët kanë vendosur të votojnë. Ne si shqiptarë do ta lexojmë mos votimin e tyre dhe betohemi se pas 30 qershorit jemi të gatshëm të rishikojmë se çfarë nuk shkon me ne. Ne nuk jemi të pagabueshëm.
Me forcë, ne nuk na e ka dalë askush dhe asnjëherë. Prandaj, dua t’ju them se data 30 qershor me gjithë refuzimin e një pjese, e cila është pjesa jonë, janë shqiptarë. Ne do të shkojmë të votojmë edhe për ta për të ndryshuar Tiranën, për të ndryshuar Shqipërinë”, ka thënë Majko.