Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Por, po; absolutisht është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës që, në këto rrethana, t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se dhuna është një mjet i papranueshëm”, është kjo deklarata e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer që bën për Zërin e Amerikës, në rast se PD dhe LSI do të kryejnë akte dhune në 30 qershor.
SHBA-ja do ti konsideronte organizata konspiracioniste kundër saj partitët shqiptare që do të ndërmerrnin akte dhune dhe pengim të zgjedhjeve më 30 qershor, konfirmoi sot Mathew Palmer në intervistën e tij. Ai gjithashtu ua bëri të qartë liderëve të opozitës, se dhuna nuk do të pranohet në asnjë mënyrë. “Po ashtu duam të dëgjojmë të njëjtën gjë nga qeveria. Është një gjë që e kemi theksuar vazhdimisht. Kushdo në Shqipëri duhet ta dëgjojë qartë, nga udhëheqësit e tyre, nga ata të cilët i mbështesin dhe presin udhëzime, ta dëgjojnë nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Është diçka që unë e kam theksuar disa herë dhe po e përsëris: dhuna është e papranueshme”, u shpreh Palmer. Por, goditja nuk ka ardhur vetëm ndaj opozitës nga SHBA. Gjatë intervistës së tij dhënë Zërit të Amerikës, Mathew Palmer komentoi dhe dekretin e ri të Presidentit Ilir Meta për zgjedhjet e 13 tetorit. Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit u shpreh se ky deret është “nul”, pasi këtë tagër për të gjykuar nëse zgjedhjet duhet të përsëriten ose jo e ka Gjykata Kushtetuese. “Në kushte ideale ne do të kishim dashur që në zgjedhje të merrnin pjesë si partitë e opozitës, ashtu edhe të qeverisë. Këtë ua bëmë të qartë me forcë udhëheqësve të opozitës, përpara se ata të vendosnin të bojkotonin zgjedhjet. Është për të ardhur keq që vendosën ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet nuk duhen zhvilluar. Pas zgjedhjeve, do të ketë mundësi që të krijohet Gjykata Kushtetuese, është plotësisht e mundur që Gjykata të vendosë që zgjedhjet duhen përsëritur, por kjo i takon Gjykatës ta vendosë dhe jo politikanëve të veçantë”. Për SHBA-në nuk ka dyshim, zgjedhjet e ligjshme janë ato të 30 qershorit. Matheë Palmer shprehet se ato duhet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente, ndërsa konfirmon se mungesa e opozitës në zgjedhjet e 30 qershorit, nuk i bën ato të paligjshme. “Është një situatë më pak se ideale, që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhet në vetvete nuk janë të vlefshme. Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë. Njerëzit që duan të marrin pjesë, që duan të votojnë, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë. Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin. Ne do të kemi njerëzit tanë në terren, në kuadër të misionit vëzhgues të ODIHR-it, por edhe në mënyrë të pavarur, me ekipe vëzhguesish të ambasadës, për të parë se si do të shkojnë gjerat. Ne shpresojmë që më 30 qershor gjithçka të jetë sa më qetë e paqësore”.
Intervista e plotë e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer: Zëri i Amerikës: Zoti Palmer, faleminderit për mundësinë për këtë intervistë. Le të fillojmë me lajmin e fundit. Presidenti Meta shpalli datën e re të zgjedhjeve vendore, 13 tetorin. Kryeministri Rama këmbëngul për 30 qershorin. Cili është qëndrimi i Departamentit të Shtetit, a duhet të shtyhen zgjedhjet? Mathew Palmer: Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit. Zëri i Amerikës: Çfarë legjitimiteti do të kenë këto zgjedhje ndërsa në gjysmën e bashkive do të ketë vetëm një kandidat dhe votuesit nuk do të kenë alternativë për të zgjedhur? Mathew Palmer: Është një situatë më pak se ideale, që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhet në vetvete nuk janë të vlefshme. Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë. Njerëzit që duan të marrin pjesë, që duan të votojnë, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë. Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin. Ne do të kemi njerëzit tanë në terren, në kuadër të misionit vëzhgues të ODIHR-it, por edhe në mënyrë të pavarur, me ekipe vëzhguesish të ambasadës, për të parë se si do të shkojnë gjerat. Ne shpresojmë që më 30 qershor gjithçka të jetë sa më qetë e paqësore.
Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar nga mundësia e dhunës më 30 qershor?
Matheë Palmer: Absolutisht. Dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre që më 30 qershor të mos ketë dhunë, që askush të mos pengojë të drejtën e atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Protestat paqësore janë pjesë e qeverisjes demokratike. Kjo është shumë normale. Ne e pamë më 21 qershor se opozita është plotësisht e aftë të paraqesë argumentet e veta në mënyrë paqësore, në një mënyrë që përputhet me praktikat demokratike. Ne duam të shohim që edhe në 30 qershor ngjarjet të zhvillohen pa dhunë. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë këtë të qartë përkrahësve të tyre.
Zëri i Amerikës: Më parë ju keni thënë se udhëheqësit e opozitës duhet të mbajnë përgjegjësi nëse ka dhunë, se ata do të jenë personat përgjegjës për të. Ka patur njoftime në shtyp për udhëheqësit e dy partive kryesore të opozitës, PD dhe LSI-së, se në qoftë se ka përpjekje me dhunë për të bllokuar zgjedhjet e së djelës, partitë e tyre do të rrezikonin të futeshin në listën e Shteteve të Bashkuara të organizatave që janë objekt sanksionesh nga Uashingtoni. A ekziston një rrezik i tillë për to?
Matheë Palmer: Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Por, po; absolutisht është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës që, në këto rrethana, t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se dhuna është një mjet i papranueshëm. Po ashtu duam të dëgjojmë të njëjtën gjë nga qeveria. Është një gjë që e kemi theksuar vazhdimisht. Kushdo në Shqipëri duhet ta dëgjojë qartë, nga udhëheqësit e tyre, nga ata të cilët i mbështesin dhe presin udhëzime, ta dëgjojnë nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Është diçka që unë e kam theksuar disa herë dhe po e përsëris: dhuna është e papranueshme.
Zëri i Amerikës: Përpara se të shpallte datën e re, presidenti Meta u takua me përfaqësues të disa ambasadave të vendeve kryesore në Tiranë, por duket se ai nuk ftoi përfaqësues të ambasadës amerikane, ose ambasadës italiane. Në të kaluarën presidenti Meta ka bërë kritika relativisht të ashpra ndaj komunitetit ndërkombëtar duke u shprehur se “nëse dikush kërkon zgjedhje një-partiake le të vejë në Korenë e Veriut” dhe se “ai ka anuluar zgjedhjet në Shqipëri dhe jo në Amerikë, apo ndonjë vend tjetër”. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?
Matheë Palmer: Në kushte ideale ne do të kishim dashur që në zgjedhje të merrnin pjesë si partitë e opozitës, ashtu edhe të qeverisë. Këtë ua bëmë të qartë me forcë udhëheqësve të opozitës, përpara se ata të vendosnin të bojkotonin zgjedhjet. Është për të ardhur keq që vendosën ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet nuk duhen zhvilluar. Pas zgjedhjeve, do të ketë mundësi që të krijohet Gjykata Kushtetuese, është plotësisht e mundur që Gjykata të vendosë që zgjedhjet duhen përsëritur, por kjo i takon Gjykatës ta vendosë dhe jo politikanëve të veçantë.
Zëri i Amerikës: Zgjedhjet vendore janë vetëm shfaqja më e fundit e problemeve të thella politike të Shqipërisë. Çfarë do të ndodhë më 1 korrik? E kemi parë një situatë të tillë të përsëritet shpesh. Çfarë do të ndodhë pas 1 korrikut? Si mund të dalë Shqipëria nga ky batak?
Matheë Palmer: Janë disa gjëra që ne shpresojmë të ndodhin pas një korrikut. E para është dialogu mes qeverisë dhe udhëheqësve të partive të opozitës për reformën elektorale. Ka një projekt të reformës elektorale që është në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it, dhe ne duam të shohim marrëveshje për procesin e ardhshëm të reformës elektorale, që të krijonte kushtet që zgjedhjet në të ardhmen të zhvillohen duke gëzuar mbështetje nga të gjithë, në mënyrë transparente dhe me llogaridhënie. Duam që gjithë partitë të ripohojnë mbështetjen për reformën në drejtësi, që është thelbësore për aspiratat evropiane të Shqipërisë; duam të shohim formimin e institucioneve të Shqipësirë, si Gjykata Kushtetuese, që do të lejonin një funksionim të qetë të procesve demokratike të Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Një seri telefonatash të përgjuara të zyrtarëve socialistë lenë të kuptohet se ata dyshohen për abuzim pushteti dhe mund të kenë shkelur edhe ligjet zgjedhore, duke u bërë presion votuesve. Cili është komenti juaj për këtë?
Matheë Palmer: Këto janë akuza serioze që duhet të hetohen. Ne do të mbështesim një hetim nga institucionet dhe autoritetet shqiptare, një hetim që është profesional, transparent, që të çon drejt një përfundimi. Këto janë akuza shumë serioze, që kërkojnë hetime serioze.
Zëri i Amerikës: Qeveria socialiste e kryeministrit Rama është përfshirë në disa skandale kohët e fundit, nuk dua t’i përmend ato një nga një. A mban ai përgjegjësi për gjendjen në të cilën është Shqipëria sot? Ai është në pushtet prej 6 vjetësh tashmë.
Matheë Palmer: Ka përgjegjësi të shumta, për të gjithë politikanët që të pranojnë pjesën e tyre. Por ajo për të cilën jemi të interesuar ne, është rruga drejt të ardhmes së Shqipërisë. Mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen jo nga aktorët ndërkombëtarë, apo nga forca të jashtme që shkojnë atje për të zgjidhur mosmarrëveshjet apo luajtur rolin e arbitrit. Ato duhet të zgjidhen nga institucionet e Shqipërisë. Shqipëria është vend i NATO-s, kandidat për në B.E., është një partner i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara dhe ne duam që Shqipëria dhe udhëheqësit shqiptarë të mbajnë përgjegjësi për zgjidhjen e sfidave politike me të cilat ndeshet vendi.