Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka emëruar sot ambasadoren amerikane në Shqipëri. Zonja Yuri Kim me 20 vjet eksperiencë në diplomaci është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Lindur në Korenë e Jugut, zonja Kim emigroi me prindërit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në territorin e Guamit në vitin 1974. Ajo u rrit duke vlerësuar sesa me fat ishte që po rritej në Shtetet e Bashkuara ku mundësitë ishin pafund. Pasi u bë shtetase amerikane, ajo u betua se do i jepte diçka këtij vendi që i fali asaj dhe familjes kaq shumë.
Pasi studioi në universitetin e Pensilvanisë, ajo lexoi një broshurë të Departamentit të Shtetit për shërbimin e huaj. Ajo e kuptoi se një karrierë e tillë do të ishte një mënyrë për të “nderuar” vendin që e priti. Puna dukej interesante, jeta në disa shtete, mësimi i gjuhëve të huaja iu dukën vërtetë interesante. Yuri Kim, një oficere e shërbimit të huaj iu saktësua vendi në sektorin politik në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Pekin. Më pas ajo kreu studimet master në universitetin e Kembrixhit në Angli dhe u caktua në shumë detyra në disa vende të botës. Kim i këshillon gjatë gjitha kohës aplikantët në shërbimin e huaj ta mendojnë mirë kur vjen puna tek mënyra e jetës diplomatike. “Jetesa jashtë vendit për një periudhë të gjatë dhe pastaj lëvizja nga njëri vend në tjetrin çdo dy ose tre vjet është pjesë e këtij stili jete”. “Është më e vështirë për femrat”, shprehet Kim gjatë një intervistë të dhënë për Huffington Post në vitin 2016, ato duhet të gjejnë dikë që të jenë të gatshëm të lënë jetën e tyre pas dhe të të ndjekin rreth botës. Kim thotë se e kupton fjalën “diplomatike” si taktike dhe mirësi. “Nuk është të jesh e mirë me njerëzit ose mos të thuash gjera që të lëndojnë. Në fakt, në punët që unë duhet të bëj, ne kemi kaluar biseda të vështira dhe ndonjëherë gati luftarake. P.sh në rastet e Koresë së Veriut dhe Irakut është të flasësh me dikë që mos të shkrepen armët. Është një mënyrë për të shmangur ose për t’i dhënë fund një konflikti. Është ti bësh njerëzit të bëjnë kompromise”.
Yuri Kim ka shërbyer gjatë karrierës së saj në Departamentin e Shtetit si drejtoreshë e Zyrës për Evropën Jugore. Zonja Kim ka shërbyer edhe si Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Azinë Lindore dhe Çështjet e Paqësorit dhe si anëtare e delegacionit amerikan për të mbyllur programin bërthamor të Koresë së Veriut. Gjithashtu, ka shërbyer edhe si këshilltare politike në Ambasadën Amerikane në Bagdad dhe Turqi. Kim ka punuar në çështje të sigurisë kombëtare në shumë vende përfshirë Kinën, Korenë e Veriut, Turqinë, Irakun dhe NATO. Ajo ka qenë drejtore në kabinetin e ndihmës sekretarit të shtetit amerikan nga viti 2015 deri në vitin 2017. Më vonë ajo ka punuar si Drejtore në zyrën e çështjeve europiane të sigurisë dhe çështjeve politiko-ushtarake, përgjegjëse për politikën e Shteteve të Bashkuara që lidhet me NATO-n, OSCE dhe në të tjera çështje që lidhen me sigurinë transatlantike
Kim ka qenë këshilltare politike në Ankara (2011-2014), ku ka qenë përgjegjëse për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, NATO-n dhe bashkëpunimin me Turqinë veçanërisht në lidhje me zhvillimet me Sirinë, Irakun dhe Iranin. Zonja Kim mban gradën B.A. nga Universiteti i Pensilvanisë dhe Master of Philosophy nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo flet gjuhët koreane, kineze, japoneze dhe turke. Për të ardhur përfundimisht si ambasadore në Shqipëri, ajo duhet të konfirmohet nga senati.