Nga Bedri Islami
Në një emision TV, ditën e djeshme, zonja Kryemadhi, drejtuese e LSI-së, mes prononcimeve të tjera, si për mbështetjen edhe në një mandat të ardhshëm të kryebashkiakut Veliaj, përmes dy kushteve, rrjedhjes së këshilltarëve nga e majta sinjë lojë pokeri, koalicionit të madh opozitar, që nuk duket ende, hedhjes së çizmes si një akt vizionar, deklaroi edhe se “ Po t’ia thotë truri dhe mendja LSI-së ia kap nja 7 a 8 deputetë Edi Ramës dhe e rrëzon nga qeveria…Por këtë nuk e bënm për hir të negociatave”.
Ta lëmë në se është i mundur një kalim i tillë i pushtetit nga njëra dorë në tjetrën. Jam i bindur se, nëse do të kishte patur një mundësi të vetme, do t ishte bërë para 18 dhjetorit, kur një grupim deputetësh deshën të bënin një grusht parlamentar dhe të përsërisnin gruevskinët e shtetit fqinj.
Përtej pyetjes, nëse është e mundur kjo, dhe pse mund të jenë kaq të shitshëm deputetët tanë, ajo që të ngulmohet më shumë është në tre çështje edhe më të ndjeshme se sa e gjithë kjo.
E para, mentaliteti, edhe në shkallët e larta të politikës, se si mund të merret pushteti dhe se si mund të qeveriset përmes blerjes.
Nuk është i rëndësishëm verdikti i votuesve, për çfarë janë përcaktuar ato dhe kush i ka deleguar deputetët. Më e fuqishme se e gjithë, kjo është fuqia blerëse e një partie apo partize dhe tregu i shkëmbimit të votës , duke i shndrruar ato në mallra Gabi të klasit të parë.
Të bësh për vete “ nja 7 a 8 deputetë”, do të thotë të kesh pushtet, ose të kesh para.
Pra, të jesh në gjendje që këto 7 a 8 të marrin premtimin se, pas rrokadës qeverisëse ata do të kenë më shumë se sa sot, përfitime, tenderë të fshehur nën emrat e kunetërve, të kenë vetë poste ose njerëzit e tyre , etj. Çka nuk do të ndodhte për herë të parë në poltikë.
Por kjo nuk do të ishte asgjë tjetër, veçse mendësia e rrezikshme e transferimit të pushtetit në një kazan të madh, ku secili do e ketë garuzhden e tij sipas besnikërisë partiake dhe ku, më të mëdha se gjithë të tjerët, do e kenë deviatorët.
Zakonisht është pushteti që ngulmon të blejë gjënë më lehtësisht të shitshme, mandatarët. Në këtë rast opozita synon të realizojë blerjen. Nëse nuk e bën me pushtetin e premtuar, e bën përmes parasë,në këtë rast CASH. Nuk do të ishte hera e parë. Shembulli i zgjedhjes së Bamir Topit si president, përmes kalimit të votave, ku u u hodhën mbi tryezën e korruptimit më se 4 milion euro, dhe përmes të cilave deputetë të së majtës, ndonjë nga të cilët me ato para bleu shtëpi jashtë Shqipërisë e jeton atje, dëshmon se blerja është mjet efikas dhe tani, sipas këtij deklarimi, mund të .
Është njëlloj si t’u thuash njerëzve që vota juaj, sado e dlirë të jetë, nuk ka asnjë vlerë para fuqisë së parave tona, të cilat, në fakt, i kemi marrë nga ju.
Është mentaliteti i vjedhjes së pushtetit. Kjo është e rrezikshme. Kjo do të bëjë që edhe në të ardhmen të ketë më pak votues.Kjo do të mbajë në pushtet një klikë që ripërsëritet përmes vjedhjes së pushtetit.
E dyta, për largimin e qeverisë Rama janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme nga opozita. Janë hedhur në erë qindra mijra dollarë, përmes lobimeve enigmë dhe parave me origjinë të dyshimtë, janë bërë peticione, janë përdorur të gjitha institucionet ndërkombëtare, është protestuar, janë bërë metingje dhe është synuar të ketë një grusht të vogël parlamentar, sipas përvojës Gruevski në shtetin fqinj.
Me 18 dhjetor desh u përmbys gjithçka, dhe, nuk u arrit jo se opozita ishte e zbutur, por nga që forca e saj të çon deri aty.
A mund të rrëzohet ajo përmes trafikimit të mandatave?
Mund të synohet, por kjo do të ishte një spirale që do të sillte përmbysje të mëdha në jetn politike, por edhe trazime sociale, të cilat do e kishin bërë klasën politike të mblidhte mendjen.
LSI, përmes kësaj deklarate politike, është në vazhdën e asaj që ka bërë gjithnjë: kthimin në një parti praktike, llogari mbajtëse, kalkuluese dhe lehtësisht e pranueshme për ato që kanë dëshirën të shiten. Nëse nëfillim ajo lindi si rebelim ndaj një klase politike të çoroditur dhe të zotëruar nga një dyshe alternuese, Nano-Berisha, tani po merr me vete të gjithë ato vese për të cilat desh u rebelua.
A mund të ketë në të ardhmen jetëgjatësi një forcë e tillë politike, e cila , më shumë llogarit forcën e parasë, se sa të idesë; a mund të jetë kjo një shembull edhe për partitë e skalionit të dytë e të tretë; a mund të bëhet edhe më tej e njëjta politikë, përmes blerjes dhe shitjes?
Së treti, duhet urgjentisht të ndryshojë Kodi Zgjedhor.
Pse mund të ndryshojnë kahun deputetët, pse lehtësisht mund të shkojnë nga e majta në të djathtë, apo nga e djathta në të majtë?
Ka vetëm një arsye themelore: ata janë deputetët e kryetarit, të listës, të dëshirës së një njeriu, i cili, edhe sikur të jetë mrekullisht i aftë, është përsëri vetëm NJË.
Duke qenë besnikët e kryetarit, ata nuk janë besnikë të atyre që i kanë deleguar. Bile, as nuk i pyesin. Ose, vetëm sa për të larë gojën.
Deputetë të tillë, kur zemërohen me kryetarin, bëjnë ujdi me të tjerë. E braktisin lehtësisht, sepse marëdhëniet janë ndërtuar të tilla. Të braktisësh një kryetar, ose të të braktis një kryetar,është gjë e lehtë.
Të braktisësh votuesit tuaj është gjë e vështirë, e rëndë dhe e rrezikshme.
Në prononcimin e zonjës Kryemadhi shihet se çfarë respekti gëzojnë deputetët tek shefat e tyre..” ia kapim nja 7 a 8 deputetë”, sikur të kapnin shtatë a tetë krapuliqë…/ Titulli orgjinal: POLITIKA E SHITBLERJES SË MANDATEVE DHE SHTETI