Reagimi më i bujshëm pas fletëthirrjes për Ramushin, ishte ai i Fate Mediut. Në një letër publike për Ramushin, Fatja tregon përvojën e tij me gjykatat dhe shpjegon pse Ramushi do ta fitojë këtë betejë: “I dashur Ramush! Me hidhërim dëgjova lajmin se je thirrur për herë të tretë në Hagë. Sot mijëra shqiptarë në çdo anë të botës janë me ty.
Unë patjetër që jam me ty, me shpirt e zemër.
Por desha të të shkruaj, jo aq për të të dhënë kurajo, se ti je më trim nga unë, por për të të treguar se beteja ime me drejtësinë ka qenë shumë më e vështirë se e jotja.
Unë i dashur Ramush, u akuzova se vrava 26 vetë në fillim.
Pak më pas vdiqën dhe tre nga viktimat, dhe u bënë 29.
Nuk ishte si puna jote, se ti në fund të fundit në luftë ishe me serbët.
Puna është, që unë dhe Zeni ishim në luftë me shqiptarët e këqinj, ata që donin të na burgosnin për ato vrasje.
Çfarë nuk bënë për të na burgosur.
Morën ekspertë nga FBI, bënë ekspertizë amerikane, na kontrolluan tabulatet, na kontrolluan llogaritë bankare, deshën të më marrin dhe lekët që më kishin dhuruar disa biznesmenë për bamirësi.
Ishte një betejë për jetë e vdekje, mes nesh që ishim përpjekur për të mirën e popullit, pamvarësisht se si doli, dhe një grushti antishqiptarësh të ligj, që na donin në burg.
Çfarë nuk na bënë që të na fusnin në burg.
U bënë bashkë amerikanë e shqiptarë, media ndërkombëtare e media antishqiptare.
Aq sa Doktori u detyrua ta quajë dhe “New York Times”, letër higjenike.
Por ne u përballëm me drejtësinë.
I treguam vendin asaj. Doktori dha urdhër që të mos shkonim kurrë në gjykatë.
Dhe Zenin nuk guxuan ta thërrisnin.
Kërcënoi kryeprokuroren e Përgjithshme dhe presidentin.
Akuzoi prokurorin që kishte çështjen dhe e detyroi të japë dorëheqje.
Një nga vartësit e mi që ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, dezertoi, se donte të më të tradhtonte.
Kishte shkuar e më spiunonte në Ambasadën amerikane.
Na shpëtoi nga duartë se iku në SHBA, se ja kishim tregu vendin dhe atij si Kosta Trebickës.
Në fund e fituam betejën. Avokati im nuk u paraqit nja dhjetë herë në gjyq.
Një herë biles thamë që ishte prishur tuneli i Rrugës së Kombit e nuk vinte dot.
Pastaj u bënë zgjedhjet dhe rimora mandatin e deputetit.
Ja bëmë të qartë Gjykatës që mundohej kot.
Dhe Gjykata u detyrua me turp ta pushonte çështjen.
Dhe nuk donin pak, por gjashtë vite burg.
Ti do thuash që kollaj me drejtësinë shqiptare, por kjo është gjykatë ndërkombëtare.
Unë i dashur Ramush e kam dhe këtë përvojë.
Në vitin 1999 më arrestuan në Itali se shoqëroja një shokun tim që kishte probleme.
Më futën dhe mua në grup. Gjykata e shkallës parë më dënoi katër vite burg dhe 20 vjet të mos merrja poste publike.
E çova në apel.
Edhe apeli në Milano ma përsëriti dënimin.
Por unë nuk u tërhoqa. Nxorra një pasaportë tjetër nga Ministria e Jashtëme me mbiemër Mehdihoxha dhe vazhdova i qetë jetën time.
Thjesht nuk kaloja nga Italia, se ata kanë drejtësi legene.
Më në fund ja gjeta anën Gjykatës së Lartë italiane dhe shpëtova.
Pra desha të të them se gjykatat njësoj janë, boll t’u gjesh anën. Ndaj mos u shqetëso.
Jam i bindur se ti do ta fitosh këtë betejë.
Unë kam qenë në kushte më të vështira se ty, pasi ty së paku tani të brohorasin shqiptarët, kurse mua më shanin kudo që më shihnin.
Por tani jam njeri i lirë. Ke mbështetjen time të plotë në këtë betejë dhe shembullin tim frymëzues që do t’ia dalësh.
I yti Fatja. D.m.th me fat të mirë.”