Lulzim Basha ka vendosur të bëjë veting brenda PD-së. “Jo nga institucionet shtetërore por nga vetë struktura. Partia Demokratike, po kalon në sitë gjithë zyrtarët demokratë, përfshirën edhe anëtarët e këshillit kombëtarë. Formulari i vetëdeklarimit, i është shpërndarë gjithë strukturës, ndërsa pyetjet që kërkojnë përgjigje janë specifike dhe të detajuara.
Në të kërkohen të dhënat personale, të dhanë për punësimin, të dhëna mbi shkollimin, mbi eksperiencën në punë, të dhëna për pastërtinë e figurës që lidhen me gjendjen gjyqësore dhe të dhëna mbi veprimtarinë politike.
Ky formular është i vlefshëm edhe për çdo kandidat për zgjedhje vendore apo parlamentare.
Zyrtarët demokratë, janë të detyruar krahas çdo eksperience punësimi apo niveli arsimimi, të deklarojnë edhe marrëdhënien e tyre me ligjin.
Rëndësi e veçantë i është kushtuar dhunës në familje, ndërsa zyrtarët demokrat duhet të japin përgjigje në qoftë se ndaj tyre është paraqitur ndonjëherë kërkesë për urdhër mbrojtje.
Zyrtarët demokrat duhet të deklarojnë veprimtarinë e tyre politike edhe nga viti 1991 deri në ditët e sotme”.
Kështu raporton Ora News, lajmin që është shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike.
Kjo iniciativë më shumë se sa një nismë serioze, shihet si një shou i Lulzim Bashës, për të hequr vëmendjen nga problemet brenda PD-së dhe nga ndonjë revoltë e mundshme kundër tij, pasi i la demokratët pa asnjë pushtet.
Më shumë se sa një veting, kjo nismë mund të konsiderohet një masë “kërcënuese” për ata që do të ngrejnë zërin kundër Lulzim Bashës.
Sepse nëse duan të bëjnë vërtet veting në parti, vështirë se iu mbetet njeri nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar.
Duke nisur nga vetë Lulzim Basha, deri tek Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Grida Duma etj.
Ndoshta do të shpëtonte vetëm Gaz Bardhi, të cilit do t’i mbetej në dorë drejtimi i Partisë Demokratike.(TemA)