Nga Ilir Mborja
Oligarkë dridhuni! Jo vetëm ju që do të konkuroni së shpejti për tenderin e Teatrit Kombëtar, por oligarkë të të gjitha vendeve që keni investuar në Shqipëri, mblidhuni! Mblidhuni e dridhuni! Luli sot, si Lenini dikur, e ka seriozisht. Luli kur të vijë (madje sapo të vijë) në pushtet, mu si Lenini në tetor të 1917-s, do t’ju shpronësojë çdo qindarkë.
Merreni vesh mirë! Qindarkë për qindarkë, do t’jua marrë juve dhe do t’na e kthejë ne fukarenjve. Qeshni ju gjakpirësa, qeshni!.. Por Luli do të vijë në pushtet shumë shpejt se në fund të tunelit ka feksur verbueshëm drita e 30 qershorit. E tha vetë Luli nga skena e Teatrit Kombëtar (madje firmosi) dhe, kur flet e firmos për tunelet ai, nuk gënjen.
Ashtu siç i nuk gënjeu prokurorët kur donin ta pyetnin për firmën e tij që avulloi 300 milionë dollarët e tunelit të Kalimashit. Ç’të bënte Luli? Të vërtetën u tha: Ishte tre vjet në shtrat nga gripi… Patjetër, ashtu siç nuk i gënjeu as prokurorët belgë që e mbajtën mbi një orë me pyetje për çështjen e “Toyota Yaris”… Kot u lodhën dhe e vonuan Lulin për të vajtur më herët atje ku e prisnin për të firmosur testamentin tek Teatri Kombëtar…
Nuk di të gënjejë ai dhe për këtë, s’ka belg e holandez në botë që t’ia ndalojë të thotë të vërtetën. Punë e madhe se u dekonspirua aksioni i tyre dhe nuk u sekuestruan ca miliona euro që kriminelët sillnin nga Belgjika. T’ia marrin Taulant Ballës, atij oligarkut të fëlliqur… Pra, si gjithmonë, edhe këtë radhë Luli nuk gënjen: Do t’ia marrë çdo qindarkë oligarkëve e do të na i kthejë neve… -Kur?.. -Si kur? Shumë shpejt. Kur të vijë në pushtet. Dhe keni për ta parë.
Luli, si gjithnjë, edhe këtë radhë duhet besuar. Pavarësisht se e tha nga skena e Teatrit Kombëtar, mu aty ku vite më parë i ndjeri Lazër Filipi kish mbledhur ca gjasme proletarë që të meremetnin Orët e Kremlinit e bënte gjasme si Lenini… Ndryshe nga Lazri që ecte përc – vërc nëpër atë skenë (se imitonte Leninin pra, që nuk i rrinte menderja në një vend) Lenini ynë i vuri të ndenjurat në një kolltuk e nuk i lëvizi.
Atë të Revolucionit të Tetorit, Lenini ynë e imiton vetëm në ide e në të folur, ndërsa në lëvizje imiton statujat e tij. Kryetari i PD-së, Lul B…, në krah të regjisorit Robert Budina që drejton Aleancën në Mbrojtje të Rrënojës së Teatrit Kombëtar, pasi dëgjoi edhe thirrjen drejtuar atij me gisht nga aktori Edmond Budina: “Mos na tradhto! Mos na gënje! Mos na zhgënje!”, plot solemnitet siç di vetëm ai, firmosi “live”, një kontratë që e angazhon atë në krye të opozitës së Budinave të mbështesë veprimet e Aleancës së Budinave për të mbrojtur rrënojën e Teatrit Kombëtar.
Por më e rëndësishme se firma e tij vetëtimë ishte fjalimi i rastit që mbajti Luli në këmbë, pa lëvizur, por drejt e i ngrirë, mu si Lenini në bronz. Ashtu, i patundur, revolucionari Lul B…, me ato që nxorri nga goja, bëri të dridhen të gjithë oligarkët e të shpresojmë edhe ne të varfërit për një ditë të bardhë. Jo se harroi, por se ishte fjala për oligarkët tanë dhe e të gjitha vendeve të botës që kanë investuar në Shqipëri, Luli nuk këndoi në fund himnin kombëtar
Mos e humbni shpresën! Besoni! Internacionalen do të dëgjojmë shumë shpejt prej tij… Dhe ajo ditë po afron se Lazri (Më falni! Lenini) u ngjall së vdekuri… Mos besoni ato që thotë Jozefina: “Luli gënjen kur e pyet edhe për orën.”. Kur flet nga nga skena e Teatrit Kombëtar nuk gënjen ai as për orën, siç nuk gënjente as Lazër Filipi për “Orët e Kremlinit”… Ky nuk është as Lenini, as Lazri. Mos harroni! Ky është Luli. Lul B… që shumë shpejt, kur të vijë, do të vijë në pushtet dhe do ta shohin menderen e mizës oligarkët pastaj…