Në Shqipëri, Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi sot shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, pasi gjeti probleme lidhur me pasuritë e deklaruara prej tij.
Zaganjori nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme. Vendimi erdhi një vit pasi kreu i Gjykatës së Lartë u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pavarësisht dyshimeve që ishin ngritur ndaj pasurive të tij edhe në këtë Komision.
Ankimimi ndaj qëndrimit të tij në detyrë u bë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pas të cilit Komisioneri publik, ju drejtua KPA-së. Kjo e fundit zhvilloi disa seanca, gjatë të cilave zoti Zaganjori dorëzoi dhe të dhëna të tjera shtesë.
Por në përfundim të procesit, trupa gjyqësore vlerësoi se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka bërë deklarime të pasakta, dhe se ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare lidhur me pasuritë e tij, një apartament në qendër të Tiranës, një mjedis për zyrë, një bodrum dhe një dyqan, një apartamente në Durrës, apo dhe për shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tij si dhe mos pagesat e detyrimeve ndaj shtetit për qeratë e perfituara.
Gjykata e Lartë, sipas një ndryshimi ligjor të vitit 2013 duhet të ketë 19 anëtarë. Ligji e rriti me 5 numrin e gjykatësve të saj, por përplasjet politike mes shumicës dhe ish presidentit Nishani, bënë që anëtarët shtesë të mos zgjidheshin asnjëherë.
Përpara nisjes së Vettingu-t, 5 nga gjykatësit e Lartë dhanë dorëheqjen, pasi kishin mbushur vitet e mandatit në detyrë, ndonëse ligji parashikon se ata mund të qëndrojnë deri në momentin e zëvendësimit.
Mes 9 anëtarëve të mbetur, vetëm 4 prej tyre i rezistuan fazës së parë të Vettingut, por më pas, gjyqtari Edmond Islamaj, dhe sot zoti Zaganjori u rrëzuan nga KPA-ja. Nga dy të mbeturit, Mehdi Bici, u largua pasi u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe në Gjykatë ka mbetur vetëm gjyqtari Ardian Dvorani.
Që prej vjeshtës së viti të kaluar, Gjykata e Lartë praktikisht ka qenë jashtë funksionit duke kryer vetëm detyrimet emergjente për raste ekstradimesh dhe transferimesh jashtë vendit të personave të padënuar. Por prej disa muajsh ajo nuk mund të kryente dot më as këto funksione.
Për këtë arsye, dhe për të tejkaluar ngërçrin problematik të krijuar, pak ditë më parë Këshilli i Lartë Gjyqësor, përmes një vendimi të pazakontë zgjodhi të caktojë “për çështje të veçanta, përmes shortit, gjyqtarë të Gjykatave të Apelit, të cilët plotësojnë kriterin kushtetues të përvojës minimale në profesion për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, pra tëpaktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit, përveç edhe qënien e tyre të konfirmuar në detyrë në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar”./VOA