Aktori i njohur dhe i vërtetë, i madhi Robert Ndrenika ka reaguar sërish lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar. Ndrenika shprehet se asnjë prej tyre nuk ka pse ta fal, e aq më tepër kur nuk ka bërë asgjë.
Fjala e plotë
“Dua t’u thuash atyre, se nuk kam bërë asnjë gabim të më falin ata.
Megjithatë, edhe nëse me falin, nuk është ndonjë gjë e madhe, se unë për vete kam falur ndërkohë organizatën bazë të partisë së teatrit, që ishte e përafërt me një çerdhe gjarpërinjsh, edhe për neve, por edhe për njëri-tjetrin. Dhe unë pa bërë gjë më kanë nxirë jetën dhe i kam falur. Jo vetëm mua, por ua nxinë jetën edhe fëmijëve të mi nëpër shkolla. Edhe kur u kthyen në Parti Socialiste, prapë i fala, se më thanë rri urtë se do të qëllojmë edhe në mish. Këtë ma kanë thënë në vitin 1991-1992, ‘neve do të dimë të qëllojmë edhe në mish’. Pra, edhe faljen nga unë e kanë ata që po më falin mua.
Edhe një gjë, të gjitha deklaratat e mia që kam bërë, i kam bërë për të qenë transparent dhe i qartë për komunitetin teatror se nuk më bëhet vonë as për kryeministra, as për sekretarë partish, as për kryetar bashkie. Unë kam dashur të jem i qartë me shokët e kolegët e mi”. Aktori i njohur shtoi se, “unë në deklaratat e mia, gjithnjë kam dashur një teatër të ri e bashkëkohor në Tiranë. Kam qenë shumë i qartë me kolegët e mi. Dhe atë kam pasur qëllim kryesor. S’më bëhet vonë, le të mendojnë si të dojë qeveria, kam dashur gjithnjë të ndërtohet teatër i ri, e këtë e kam thënë para se të shtrohej problemi që ka dalë tani. Edhe kur thoshte para 20 viteve ministri Edi Rama se donte të bëhej kulla dhe poshtë të bëhej teatri. Unë kam qenë gjithmonë që teatri të jetë më vete, teatri duhet më vete si kisha, si xhamia, si shkolla, si universiteti, ndaj kemi luftuar para 20 vitesh”, e mbylli prononcimin e tij aktori Robert Ndrenika