Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, thotë me bindje se Teatri i Ri Kombëtar do të ndërtohet, dhe se protesta që një grup artistës po bëjnë kundër tij, është e gjitha politike. Veliaj tha i ftuar tek “Këndi i Ekspertit” me gazetaren Valbona Mhilli në Report Tv, se në protestë janë artistë që nuk kanë shkelur në skenën e teatrit prej viteve ’91-’92. Ndërsa lidhur me paktin mes PD-së dhe arttistëve, ai tha se firma duhej të ishte vënë në selinë blu, pasi kryetari Lulzim Basha lidhi marrëveshje me anëtarët e tij të Këshillit Kombëtar të PD-së që i ka nxjerrë në protestë kundër projektit të radhës të bashkisë.
“Teatri do të behet dhe ata do ta shohin nga gardhi. Tani, të politizosh çdo gjë, përkundrazi e redukton opozitën nga një shtëpi e madhe në një kotec. Sot ne jemi në një situatë ku PD ka selinë më të madhe sot në Shqipëri të një partie. S’ka asnjë deputet, asnjë kryetar bashkie, asnjë anëtar të Këshillit Bashkiak. Për sa kohë që ti nuk ke asnjë kontribut publik zyrtarisht, formalisht, ligjërisht për çfarë e mban këtë? Ajo mbahet me taksa, është pronë publike. Jepja teatrit! Sot Lulzim Basha ka mundësi ta mbajë fjalën tani, jo nesër se shqiptarët e hëngrën njëherë, më votoni se do bëj tramin dhe nuk u bë trami. E ka kollaj të falë gjëra që nuk i ka, të falë diçka që e ka, selinë e ka sot, ta falë me që nuk ka asnjë funksion publik PD”, – tha Veliaj.
Qytetari i parë i Tiranës, u shpreh se për në shtator do të vendoset edhe projekti fitues për Teatrin, teksa shtoi se janë bërë dëgjesa të shumta publike, ku artistët që sot protestojnë, merrnin mesazhe nga koordinatorë të PD-së se di të bënin”zhurmë” kundër Teatrit të Ri. Kryebashkiaku tha se ata nuk janë aktorë, por recitues politik.
Ai theksoi se garancia për suksesin e dhe në këtë projekt të ri janë investimet e mëparshme sikurse sheshi “Skënderbej”, pazari, liqeni etj, që pavarësisht skeptikëve, janë përqafuar tashmë nga të gjithë. Veliaj nënvizoi se referendumi edhe për këtë projekt ishte më 30 qershor, ku qytetarët votuan pro vijimit të punës nga Bashkia e Tiranës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, foli në emisionin “Këndi i Ekspertit”për rolin e bashkisë për legalizimet në zonat informale, administratorët e pallateve etj.
Qytetari i parë i Tiranës foli edhe për parkimet me pagesë në kryeqytet, ku tha se tashmë nuk ka më punonjës fizikë për të dhënë lekët, pasi kishte vend për abuzime. “Ai nuk jepte faturë tani me celular, se kur ke makinë si mund të mos kesh lek në celular”, tha Veliaj, duke shtuar se pagesa bëhet jo vetëm përmes celularit, por edhe në sajë të kioskave që kanë vendosur ku mjafton të futësh monedhën për të marrë biletën.