Nga Ilir Mborja
Arkitekti, shkrimtari dhe përkthyesi Petraq Kolevica, ishte ndër miqtë më të afërt të Lasgush Poradecit. Në librin e tij me kujtime “Lasgushi më ka thënë”, (faqe 94 – 95) tregon:
“Ishim në Pogradec, në shtëpinë e tij, atje në odiçkën e katit të tretë ku i pëlqente të rrinte. Se si mbahej në këmbë ajo shtëpi, e veçanërisht ajo odiçkë, me ato mure gjysmë çatma, gjysëm me tulla këllëç, unë, si inxhinier s’i kam dhënë dot shpjegim dhe gjithnjë kam shkelur me frikë mbi dërrasat e dyshemesë së arnuar dhe duke parë muret e plasaritur. Aty, pra, në odiçkë, ai duke ndenjur mbi një shtrat hekuri dhe unë mbi një arkë dërrase me Libra e duke fluturuar së bashku në qiejt e poezisë, e këputi bisedën dhe më tha se e kishin lajmëruar që do t’ia riparonin shtëpinë me shpenzimet e shtetit. Me atë rast unë i thashë të kërkonte që riparimi të bëhej pa ndëruar strukturën, formën e banesës, ambientet, në mënyrë që t’i mbetej sa më shumë besnike shtëpisë ku ai kishte banuar një jetë të tërë.
Se, të më falni – i thashë – që po bëj një bisedë të tillë, por është e sigurtë që një ditë kjo shtëpi do të bëhet Muze.
Muze – tha – unë kam “Vallen e yjeve” dhe “Yllin e zemrës”, jo këtë karakatinë. Ato do të mbeten. Kjo do të zhduket… ”.
***
Kështu kujton Petraq Kolevica në librin e tij “Lasgushi më ka thënë” dhe na sjell konceptin e poetit tonë të madh për raportin midis vlerës së veprës dhe vlerës së vendit ku ajo është kryer… Le të përpiqemi tani të krahasojmë qëndrimin e ca aktorëve “nostalgjikë” për veprën e tyre, në raport me karakatinën prej pupuliti të Teatrit Kombëtar.
***
Kur bie fjala për këta aktorë “nostalgjikë” që s’dinë të flasin pa tekst të shkruar prej Lulzim Bashës, po t’i përmbahemi logjikës së Lasgushit, raporti, vepër e autorit – vend i krijimit, përmbyset… Prandaj, më e saktë do të ishte të konkludohej se: Duhet të ruhet me çdo kusht karakatina nostalgjike e Teatrit Kombëtar e të shemben këta aktorë prej pupuliti dhe bashkë me të, skenaristi i tyre, kryetari prej pupuliti i PD-së, Lulzim Basha. E keqja është se, në këtë histori të ngatërruar me nostalgjikë karakatinash e aktorë prej pupuliti, po përzihen edhe artistë të huaj nga bota që e vlerësojnë ndryshe nga unë vlerën e aktorëve tanë prej pupuliti… Fiks mbas dy orësh që Mister Bean-i konfirmoi ardhjen e tij në Tiranë për të interpretuar diçka gazmore për protestuesit e trishtuar tek Teatri Kombëtar, ai e kanceloi biletën e prerë të avionit. Merret vesh se, shkaku i anulimit të vizitës ishte se Mr. Bean-i mori vesh që sozia e tij Lulzim Basha sapo kishte interpretuar plot sukses në atë skenë një monolog të Leninit të adaptuar e aktualizuar nga drama “Orët e Kremlinit”… Sapo ka parë videon dhe është njohur me përkthimin e saj, Mister Bean ka tentuar të vrasë veten dhe është shtruar me urgjencë në një klinikë private… Mjekët thonë se më shumë se interpretimi i Leninit prej Lulit, Mr. Bean-in e tronditën shumë fjalët: “Oligarkë dridhuni! Jo vetëm ju që do të konkuroni së shpejti për tenderin e ndërtimit të ri të Teatrit Kombëtar, por oligarkë të të gjitha vendeve që keni investuar në Shqipëri, kur unë të vij në pushtet, do t’ju shpronësoj çdo qindarkë. Do t’jua marr juve dhe do t’ua kthej fukarenjve.”… Më e besueshme është ajo që thuhet nga disa kolegë të tij nën zë: “Kur ka parë Mr. Pupulitin në skenë, Mr. Bean është tërbuar nga xhelozia që nuk i kish shkuar mendja më parë për ta interpretuar ai Leninin.”… Disa të tjerë thonë se tronditja i është rënduar edhe nga lotët e Edmond Budinës… Sidoqoftë, nuk është mirë Mister Bean-i, jo. Qysh kur Luli u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar. Ja ç’të bëjnë aktorët prej pupuliti…
***
Tani, për t’u ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar e për t’i dhënë gajret protestuesve për mbrojtjen e pupulitëve, pritet të na vijë në Tiranë italiani Mikele Plaçido dhe, që të mos e pësojmë si me Mr. Bean-in, duhet me çdo kusht të kemi shumë kujdes: Ai nuk duhet të shohë as videon e aktorëve tanë prej pupuliti dhe as librin e Petraq Kolevicës “Lasgushi më ka thënë”.