Gjykata e Tiranës ka urdhëruar që Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi të sillet forcërisht në gjyqin, ku shqyrtohet dosja “Babale”. Ky urdhër është kërkuar nga Prokuroria, pasi Bardhi ka hezituar të paraqitet në këtë institucion edhe pse është thirrur dy herë për të dëshmuar. Ndërsa për prokurorin Besim Hajdarmataj, prokurorët e çështjes në fjalë kanë kërkuar vetëm rinjoftimin e tij për seancën tjetër.
Po ashtu u kërkua nga drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të vërë në dispozicion informacione për angazhimin e Hajdarmatajt.
Kjo pasi, prokurori paraqiti në seancën e së martës një shkresë, ku thoshte se nuk mund të paraqitej për të dëshmuar në seancë, pasi ishte i angazhuar në një gjyq në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Edhe për biznesmeni Ylli Rakipi, i cili gjithashtu nuk është paraqitur për shkak se ndodhej jashtë shtetit, gjykata vendosi ta lajmërojë sërish.
I pranishëm në seancë ishte i pandehuri Fredi Alizoti. Dosja mori një bujë politike vitin e kaluar, ndërsa të pandehur kanë përfunduar edhe ish deputeti Ervin Salianji dhe Albert Veliu, i ashtuquajtur me nofkën “Babale”.