Pas alarmit që Ilir Meta dha për një “tërmet apokaliptik” në Ballkan, dhe reagimet që pasuan atë, Jari vendosi ti dalë në krah Ilir Metës për këtë shkarje të rëndë, për ta bërë sa më të besueshme.
Për këtë ai argumentoi pse Meta nuk ka faj që parashikon tërmete.
Të dashur demokratë!
Jari ju sqaron!
Qendra Sizmologjike në Tiranë, ka marrë njoftimin e Presidentit Meta për tërmet në Ballkan dhe nuk ka reaguar ende. Ky qëndrim i Qendrës Sizmologjike Shqiptare, e cila është një qendër e pavarur shkencore, tregon politizimin e skajshëm që Edi Rama u ka bërë institucioneve, të cilat po vazhdojnë të injorojnë qëndrimet e Presidentit.
Njësoj siç veproi Rama më 30 Qershor, që injoroi dekretin për shtyrje të zgjedhjeve, edhe Qendra Sizmologjike Shqiptare, po vepron njësoj me paralajmërimin e Presidentit Meta.
Kjo ndodh mes të tjerash dhe nga xhelozia profesionale.
Sot shkenca sizmologjike shqiptare dhe ajo botërore kanë arritur të parashikojnë tërmetin vetëm 35 sekonda para arritjes së valës goditëse në sipërfaqe të Tokës. Ilir Meta është i pari që e ka parashikuar rreth dy muaj para dhe jo vetëm në territorin tonë, por në të gjithë Ballkanin.
Kjo e bën atë një gjeni të shkencave sizmike dhe një vizionar që nuk shikon vetëm në horizontin e qiellit, por dhe në thellësi të tokës.
Duke i nxjerrë zbuluar si të paaftë sizmologët tanë dhe ata ndërkombëtarë, Ilir Meta ka dëshmuar se vlen më shumë se sa President.
Ai është një i dërguar i Baba Aliut në Shqipëri, që e mbron këtë vend nga fatkeqësitë natyrore dhe njerëzore.
Ka pasur disa raste kur dhe politikanë apo zyrtarë të tjerë kanë tentuar ta imitojnë Ilir Metën, por kanë dështuar.
Siç ka dalë dhe në një nga përgjimet e “Bild”, gjatë fushatës elektorale, Damian Gjiknuri ka thirrur dy herë “tërmet tërmet”, por siç u provua më vonë, nuk ra ndonjë tërmet dhe Damiani u shkarkua nga ministër.
Po ashtu edhe ish drejtori i Emergjencave Civile të Ramës ka thënë para dy vitesh se në vjeshtë priten tërmete. Pavarësisht se nuk ranë, ai e bëri të vetën dhe pas kësaj dha dorëheqje.
Tani rilindasit presin që të mos bjerë tërmet dhe Meta të japë dorëheqje, por kjo nuk ndodh. Do të ketë tërmet.
Pikërisht nga zilia që rilindasit kanë për dështimet e tyre në parashikime tani tentojnë të tallen me Ilir Metën. Por e vërteta është se janë shumë larg vizionit dhe aftësive të mbinatyrshme të tij.
I juaji Jari!