Nga Adriatik Doci
Pas dështimit për të bllokuar zgjedhjet e 30 qershorit, sikundër përbetohej disa herë në ditë, Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashën ka nisur një aksion të ri politik, tashmë duke mbajtur me forcë zyrat e kryebashkiakëve si dhe duke bllokuar të zgjedhuri e rinj, për të ushtruar detyrën. Në disa takime me kryebashkiakët demokratë, Basha u ka kërkuar atyre të mos lëshojnë zyrat si kryetar të bashkive, me pretendimin se zgjedhjet e 30 qershorit janë të ligjshme.
Më të vendosur për rezistencë janë shfaqur kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu dhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, sipas të cilëve vijimi i tyre në detyrë u konfirmuar në zgjedhjet e 30 qershorit, ku, gjithnjë sipas tyre, 85 %, nuk morën pjesë, votues të cilët PD i konsideron mbështetës të saj. Por, nëse Partia Demokratike do t’i shkojë deri në fund këtij skenari, kryebashkiakët e saj, do të përballen pasoja penale. Kryerja e funksioneve nga kryebashkiakët pas mbarimit të mandatit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Neni 249 i Kodit Penal parashikon që vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Pra, çdo akt i përfaqësuesve të PD-LSI pas betimit të kryebashkiakëve të rinj jo vetëm është nul, por përbën edhe vepër penale. Përfaqësuesit e PD pretendojnë se zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë të vlefshme dhe se zgjedhjet e ligjshme janë sipas tyre në 13 tetor, ndonëse Lulzim Basha nuk është deklaruar ende qartë nëse e njeh apo jo dekretin e fundit të Presidentit. Por, zgjedhjet janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kolegji Zgjedhor dhe gjykatat e shkallët se parë, të cilat kanë njohur deri më tani mandatet për të gjithë kryebashkiakët e rinj. Gjithashtu, zgjedhjet e 30 qershorit janë njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Basha nxit të vetët për rezistencë
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur dje në Devoll ku ka thënë se kjo bashki është uzurpuar nga ajo që ai e quan banda kriminale e Partisë Socialiste. Në mbështetje të Bashës kanë shkuar edhe një grup militantësh që e mbështesin duke kërkuar që bashkia të lirohet nga kryetari i ri Eduard Duro. “Kam kënaqësinë të ndodhem në këtë manifestim të madh të demokracisë dhe vendosmërisë për të mos pranuar vjedhjen dhe uzurpimin e pushtetit vendor nga një bandë që është në pushtet. Pakica kriminale ka uzurpuar bashkinë e Devollit, shumë shpejtë do ta shporrim këtë pakicë nga Devolli dhe nga Shqipëria. Hajduteskë…me pushtimin e bashkisë si hajdutë me pushtimin e pushtetit vendor si kriminel dhe me tentativën për të vendosur mbi 94% të qytetarëve të Devollit. Rama dhe sozitë e tij kanë shkruar fatin e tyre ne Devoll dhe në mbar vendit. Fati i tyre është ai që pret çdo hajdut. Shporrja me çdo kusht me çdo mjet me çdo formë. Kjo është dhunë antikushtetuese kriminale dhe antiligjore. Keqardhje për përdorimin e policëve duhet të arrestonin hajdutin. Hajdutët i kanë bërë llogaritë në ditët e fundit të korrikut. Kanë kujtuar se me vapën e verës do të realizojnë vjedhjen. Nuk do të qeverisin dot asnjë ditë. Sot në Devoll, Kavajë Pogradec, Kamëz e në të gjithë Shqipërinë… Do të përballen me vendosmërinë tonë” ,ka deklaruar Basha.
Mziu-Ademi
Më të vendosur për rezistencë janë shfaqur kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu dhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, sipas të cilëve vijimi i tyre në detyrë u konfirmuar në zgjedhjet e 30 qershorit.
Pasojat
Sipas Kodit Penal kryerja e funksioneve nga kryebashkiakët pas mbarimit të mandatit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Neni 249 i Kodit Penal
Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. /Shqiptarja.com