Gjashtë vullkane u zbuluan nën sipërfaqen e detit, jo larg nga brigjet e Sicilisë jug-perëndimore. Midis Mazara del Vallo dhe Sciaça, ekspertë të Institutit Kombëtar të Oqeanografisë dhe Gjeofizikës Eksperimentale i identifikuan ato në shtratin e detit, disa kilometra larg nga bregu, gjatë dy fushatave në bordin e anijes kërkimore Ogs Explora.
Falë hartave të detit me rezolucion të lartë dhe disa hetimeve sizmike dhe magnetike, kërkuesit e udhëhequr nga Emanuele Lodolo kanë rikonstruktuar në detaje morfologjinë e detit, duke i lokalizuar të gjitha brenda 22 kilometrave të bregdetit, një në veçanti shtatë kilometra nga Capo Granitola.
“Vullkani më i afërt me bregun, i quajtur Actea, ka një morfologji komplekse – saktëson drejtuesi i ekipit – dhe tregon një rrjedhë të madhe llavash që shtrihet për mbi 4 kilometra”. Një rast unik për këtë sektor të Kanalit të Sicilias.
Vullkanet ndodhen rreth 14 kilometra në veri të atyre që tashmë njihen si “Banco Graham”, ku ndodhet ishulli i famshëm Ferdinandea, i krijuar në 1831 nga një shpërthim nënujor dhe i cili, pasi është ngritur deri në 65 metra, është fundosur përsëri; sot gjendet 7 metra nën sipërfaqen e detit. Me pak fjalë, ka ende shumë për të zbuluar në fund të detit Mesdhe.