Anija shqiptare “Oriku” i shpëton jetën 5 emigrantëve të cilët gjendeshin në detin Egje. Kjo është hera e parë që anija e Forcës Detare shqiptare dhe ekuipazhi i saj shpëtojnë jetë, ndërsa ata janë pjesë e forcës së NATO-s, që patrullon në këtë hapësirë detare. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
“Oriku dhe ekuipazhi i saj shpëtuan jetët e para në detin Egje që nga dislokimi atje rreth 3 javë më parë. Detarët tanë shpëtuan 2 gra dhe 3 burra me shtetësi iraniane dhe ia dorëzuan kolegëve të tyre të Rojës Bregdetare turke. #KrenariPërFA #FaleminderitPërShërbimi”, shkroi ajo në Facebook.
Anija “Oriku” u nis për në misionin e NATO-s në detin Egje me datë 12 korrik. 21 pjesëtarët e kontingjentit të XIII shqiptar në misionin “Sea Guardian”, lundruan ga Flotilja Detare e Pashalimanit, ku u përcollën nga drejtuesit e Forcës Detare, familjarët dhe kolegët e tyre.
Anijet e Forcës sonë Detare patrullojnë prej 2 vitesh e gjysmë në detin Egje dhe janë pjesë e grupit të gatshëm të anijeve të NATO, Standing NATO Maritime Group 2 (SNMG2).