Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pak ditë më parë në qytetin e Beratit, ku në segmentin rrugor Polici-Stadiumi Tomorri, i rikonstruktuar tre vite më parë, me vlerën 316 milionë lekë, si një nga projektet më madhore të këtij qyteti, qytetarët ndoqën të habitur, se si toka u shemb si me “magji” vetëm pak metra larg tyre.
Në fakt, nuk ishte as magji dhe as fat i keq, por thjesht kompania që kreu punimet e kësaj rruge, rezultoi një dështim skandaloz, pasi duke kryer punime pa asnjë lloj cilësie për pak sa nuk i kushtoi jetën një udhëtari me makinë, i cili u gjend në vendin e duhur, në kohën e duhur, në një rrugë të gabuar!
Automjeti që ishte në ecje përgjatë këtij aksi, ka rënë në gropën e shembur në rrugë, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, ndërkohë që dëmtimi i rrugës në këtë segment ka vështirësuar mjaft qarkullimin e mjeteve në rrethrrotullimin e stadiumit.
Ishin qytetarët pranë një bari të vogël në rrethrotullimin pranë stadiumit “Tomorri”, të cilët janë bërë dëshmitarë, se si toka u fundos vetëm pak metra larg tyre.
“Ishim duke luajtur lojën e radhës, kur pamë se pak metra më tej një makinë ra në një gropë që u hap si me magji në rrugë”, tha Qazimi, një pensionit i lagjes.
Banorët e lagjes ankohen së rikonstruksioni i rrugës nuk ka qenë në cilësinë e duhur dhe përveç gropës prej disa metrash të hapur të dielën në mesin e saj, ata kanë gjithashtu probleme me ujërat e shiut.
Ky investim, i cili kapi vlerën 316 milionë lekë dhe u realizua gjatë vitit 2016, punimet për zbatimin e projektit u realizuan nga kompanitë e ndërtimit “G.P.G Company” me seli në Lushnje, e drejtues ligjor Paqësor Buzin, si edhe firma “Boshnjaku B”.
Përveç rishtrimit me asfalt të rrugës ky investim përfshiu dhe sistemimin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Zbatimi i këtij projekti, u bë përmes Bashkisë Berat dhe firmës në fjalë, në kohën që drejtohej nga kryebashkiaku Petrit Sinaj i LSI-së.
Edhe pse specialistët e drejtorisë së rrugëve të këtij qyteti bëjnë me dije, se rruga ka shkarë për shkak të shembjes së njërit krah të murit mbajtës nëntokësor të kanalizimeve të ujërave të zeza, sipas burimeve konfidenciale të ekskluzive.al, mësohet se rruga ka krijuar çarje dhe është shembur, pasi nuk është kryer mbushja me çakull e segmentit dhe vendosja e të gjitha nënshtresave, sikurse ishte planifikuar në projekt, ku fare mirë duket dhe nga pamjet e siguruara nga gazeta.
Burime zyrtare pranë kësaj drejtorie deklaruan, se bashkia do të punoj gjatë gjithë natës për riparimin e rrugës që u kushtoi qytetarëve të Beratit 316 milion lekë, ndërkohë që i takon administratës së re të bashkisë të marr masat përkatëse sipas ligjit, për kompaninë “G.P.G Company”, për punimet e dobëta në këtë segment, shoqëruar me penalitetet përkatëse duke proceduar kompaninë siç e parashikon ligji./Ekskluzive.al