Drejtoria e Hetimit Tatimor, kreu mbrëmjen e së enjtes, bllokimin e lokalit të njohur në mes të Tiranës, Taivan, në kuadër të aksionit antiinformalitet.
Lajmi u publikua edhe nga vetë zv/kryeministri Erion Braçe përmes një postimi në rrjetet sociale, i cili theksonte se aksioni i nisur me dorë të hekurt nga drejtoria e përgjithshme e Tatimeve, nuk do të kursejë askënd, nëse kapet në shkelje të ligjit.
Në postimin e tij Braçe publikonte foto nga lokali në fjalë, ndërsa në dyert e lokalit ishin vendosur shiritat “Hetimi Tatimor”. Zv/kryeministri shkruan se “Mu në zemër të Tiranës dhe pa asnjë-zero kupon tatimor në çdo tavolinë! Për herë të dytë!!”
Ndërkohë në një reagim për “Balkanweb” menaxheri i këtij lokali, shprehet se nga aksioni i inspektorëve tatimorë, ka rezultuar se pa kupon tatimor, ka qenë vetëm një prej tavolinave, faktuar kjo edhe në procesverbalin e hartuar prej tyre.
“Nga të gjitha tavolinat e mbushura me klientë, kanë gjetur vetëm 1 pa kupon dhe vlerë e faturës është 4.300 lekë. Është abuzim i njërit prej kamarierëve, i cili u pushua menjëherë nga puna”.
Sipas tij punonjësit e tatimeve kanë urdhëruar bllokimin e të gjitha njësive në të dy katet e godinës, për këtë faturë të munguar, duke lënë në punë vetëm kazinonë e cila ndodhet në katin përdhes.
Menaxheri i Taivan thekson se do të apelojë masën e marrë nga drejtoria e hetimit tatimor, duke kërkuar lirimin e ambienteve të bllokuara.
Gjithashtu në apelimin e masës do të kërkohet edhe dëmi ekonomik që i ka shkaktuar biznesit si dhe edhe për prishje të imazhit, duke marrë parasysh faktin se bllokimi i lokalit është kryer në kulmin e sezonit turistik.