Zv.kryeministri Erion Braçe njoftoi mbrëmjen e djeshme, se kompleksi Tajvan në zemër të Tiranës është mbyllur nga shteti, pasi ka shkelur ligjin, duke mos lëshuar për dy herë radhazi kupon tatimor për klientët e tij.
Por sipas deklaratave të punonjësve të Taivanit, mësohet se Inspektoriati i Tatimeve ka bllokuar vetëm barin dhe restorantin, i cili ka të njëjtin NIPT, ndërkohë që kazinoja e kompleksit do të vijojë punën normalisht pasi nuk është pjesë e bizneseve të lartpërmendura.
Në një deklaratë në instagram, Braçe gënjeu kur tha se Taivanit i është vënë drryni i gjithi, pasi në tavolinat e bizneseve nuk është gjetur asnjë kupon tatimor i lëshuar. Ai deklaroi se me kafenenë dhe restorantet është mbyllur edhe kazinoja dhe se nga sot nuk ka më miku i atij apo këtij.
“Mu ne zemer te Tiranes dhe pa asnje-zero kupon tatimor ne cdo tavoline! Per here te dyte!
Keshtu qe mbyllur kefeneja, mbyllur restoranti ne katin e pare, mbyllur restoranti ne katin e dyte, mbyllur kazinoja!
Mbyllur te gjitha!
Te jesh kush te duash, i madh sa te duash, mik e shok me ke te duash, ose zbato ligjin, ose do mbyllesh!
Mos kerko kot, nuk te ndihmon dot kerkush!”, deklaroi Braçe.
Në rastin më të mirë, zv.kryeministri nuk është informuar siç duhet nga tatimorët dhe e gjitha është një keqkuptim, e në rastin më të keq, ai ka gënjyer kur iu ka thënë dje shqiptarëve se i gjithë Tajvani është mbyllur.
Ndërsa menaxheri i lokalit përgënjeshtroi Braçen duke deklaruar se vetëm një kupon tatimor nuk është gjetur në biznes, me vlerë 4300 lekë, si një abuzim i kamarierit, i cili është pushuar nga puna, duke publikuar dhe procesverbalin e mbajtur nga inspektorët e tatimeve.
Menaxheri i Taivan deklaroi se do të bëj kallëzim penal për dëmin ekonomik dhe prishje të imazhit të këtij biznesi.