Janë 18 milion euro më shumë që projekti për përmirësimin e kanalizimeve për Tiranën e Madhe ka marrë vetëm në zërin e punimeve civile. Raporti i Auditit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i siguruar nga TV Klan ka nxjerrë në pah shkelje të ndryshimit të formulave të çmimit mes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe firmës fituese të tenderit. Çmimi është ndryshuar duke dalë jashtë kuadrit të dokumentave të paraqitura në garën për të fituar tenderin në vitin 2012.
Rritja e kostos së punimeve civile të projektit, në vlerën 1.027.291.019 JPY (jen japonez) për shumën e situacioneve të paguara deri më 31.11.2017 dhe në vlerën 2.319.093.644 JPY (jen japonez) deri në përfundim të projektit, vetëm si pasojë e ndryshimit të formulës për rregullimin e çmimit.
Gjatë periudhës 07.11.2013, pas dërgimit “No Objection” nga JICA, deri më datën 31.01.2014, kur është lidhur kontrata, janë kryer negociata ndërmjet AKUK (ish-DPUK) dhe kontraktorit, për cështje të ngritura nga palët, e konkretisht kontraktori i shpallur fitues, ka propozuar jo vetëm ndryshime të keoficentëve të formulës së parashikuar në dokumentet standarte të tenderit dhe kontratën tip FIDIC, por përfshirjen në këtë formulë edhe të indekseve të kursit të këmbimit valutor.
Në të gjithë dokumentacionin e vënë në dispozicion të grupit të auditimit, nuk konstatohet se nga palët pjesëmarrëse në negociata të jetë kryer një analizë e kostove shtesë, sa mund të ishin këto kosto, si dhe të informohej Ministria e Financave dhe ish MTI. Kjo analizë duhet të kryhej, pasi në momentin që është miratuar formula e re e rregullimit të cmimit, aplikimi i saj që në muajt e parë i rriste kostot me mbi 40%. Kjo konstatohet nga pagesat që janë kryer në vecanti në muajt e parë të punimeve.
Përsa më sipër, formula e veçantë për rregullimin e çmimeve ishte shpallur dhe pranuar nga ofertuesi dhe ndryshimi i saj duhej tu paraqitej të gjithë ofertuesve/operatorëve të tjerë ekonomik.
Gjatë zbatimit të këtij projekti, asnjë problematikë e rezultuar nga rrëshqitjet e ndodhura, nuk është parashtruar për tu diskutuar, analizuar dhe vendosur nga Këshilli Teknik i AKUK.
Auditimi ka konstatuar kosto shtesë në vlerën 10.988.195 JPY (jen japonez), si pasojë e rritjes të nivelit të paradhënies nga 20% në 25% të vlerës së kontratës, pas nënshkrimit të saj, jo në përputhje me standartin FIDIC, shumë e cila përben dëm ekonomik për buxhetin e ketij projekti. Në dokumentacionin dorëzuar grupit të auditimit, nuk ka asnjë korespodencë zyrtare ndërmjet palëve mbi domosdoshmërinë e këtij ndryshimi dhe as një analizë për kostot që sjell rritja e nivelit të paradhënies.
Rritja e masës së paradhënies pas nënshkrimit të kontratës, ka sjellë kosto shtesë për AKUK, pasi pagesat për sigurimin e paradhënies, janë zëra të cilat paraqiten nga firma fituese, të përfshirë në ofertë dhe në përfundim është shpenzim që e paguan Investitori (DPUK).
Rikthimi i paradhënies nuk është bërë në përputhje me kushtet e përgjithshme të kontratës, pika 14.2 (a) dhe 14.2 (b). Kontraktori rezulton me paradhënie të pakthyer në shumën 588,322,340 JPY. Mos rikthimi i paradhënies sjell kosto shtesë për tarifën e sigurimit të paradhënies të cilën e paguan AKUK. AKUK duhet të sigurojë paradhënien jo më për 806,659,445 JPY, por për shumën 1,394,981,786 JPY, e për pasojë do të paguajë më shumë për këtë sigurim paradhënie të cilat përbëjnë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. Kjo kosto shtesë, nuk është llogaritur, pasi sigurimi i paradhënies nuk është paguar.
Gjithashtu, nëse AKUK, do të vazhdojë me të njëjtën mënyrë të përllogaritjes së mbajtjes së paradhënies, paradhënia nuk mund të rikthehet në masën 100% të saj, kur niveli punimeve të jetë në masën 90%, ashtu sic është parashikuar në FIDIC dhe marrëveshjen ndërmjet palëve./tvklan