Duket se kontradikta i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka fund. Dëshmia më e fundit e kësaj u regjistrua në orët e mesditës së të dielës kur Petrit Vasili përmes një statusi në rrjetin social Facebook kundërshtoi taksën e koncesionit për Rrugën e Kombit.
“Refuzojeni ta paguani taksen per rrugen e kombit,le ta paguaje vete qeveria. Koncesionin e rruges se Kombit e ka miratuar qeveria e koncesioneve te pista. Qytetaret nuk kane taksirat te paguajne taksa per te kaluar ne nje rruge ku e kane dhene boll kontribut me taksat e tyre tyre per ndertimin e saj. Qeveria ta paguaje vete kete takse,se qytetaret e kane permbushur tashme, me te tepert bile detyrimin e tyre.
Qeveria ka dhene qindra milion euro koncesione ne shendetesi e gjithandej,le ti anulloje ato dhe le te financoje mirembajtjen e rruges se kombit. Qytetaret qe udhetojne drejt verilindjes kryesisht vellezerit nga kosova jane te denuar te paguajne per te ardhur ne shqiperi sepse qeveria e kryeministrit vjedh. Refuzojeni ta paguani kete takse te piset jeni ne te drejten tuaj”.
Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI
Ka vetëm një problem të vogël. Sipas Lexo.al kontrata e marrëveshjes së koncesionit, datë 6.12.2016 “Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim, mirëmbajtje të Autostradës Milot-Morinë” është firmosur më datën 6.12 2016 nga Sokol Dervishaj, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, përfaqësues i zgjedhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim. E gjithë procedura nga marrja e ofertës së pakërkuar, ajo e garës deri në shpalljen e fituesit për këtë koncesion është bërë nga ky dikaster i drejtuar prej Lëvizjes Socialiste për Integrim nga Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj.
(Kontrata për koncesionin e firmosur edhe nga ministri i LSI, Dervishaj)
Firmosja e kontratës është bërë pas një procedure negocimi të kontratës dhe kritereve të saj, përfshirë dhe tarifat e kalimit të mjeteve, bërë po nga ministria e drejtuar prej përfaqësuesit të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kontrata e firmosur nga Dervishaj më pas ka kaluar për miratim në qeveri ku sërish kanë qenë përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim që drejtonin disa ministri në kabinet.