Kanë filluar tani me 13 tetorin e Metës për të cilin sillen e pështillen për të zgjidhur situatën e krijuar për tridhjetë vite nga po vetë këta – brenda dy muajve dhe për të zgjidhur tre probleme! Arsyeja është pranimi (medemek) nga Franca dhe Holanda që nuk e duan Shqipërinë në BE se shqiptarët (politika) u bë bashkë prandaj si shpërblim do ti pranojnë të vijnë në kufijtë tanë politikë!
Kulmi marrëzisë dhe infantilitetit politik për ata që mund të besojnë në broçkulla të tipit të tërmetit të parashikueshëm! Janë fantastikë në “prima fila” si Presidenti ashtu dhe partitë e “forta e të mëdha” të Mediut, Shehit, Ndokës, Dules dhe Dukës?! Po pra ato tipiket e partive fugona dhe ndonjëri pa makinë e zyrë, e le pastaj të mendosh për “sekretare”! Po pra, partive që përdorin demokracinë për të mbijetuar politikisht, sepse individualisht janë zero e madhe njerëzore! Tani duan ti bëjnë tre palë zgjidhje dhe zgjedhje në një ditë! Këta farë burrash, që kanë shkaktuar fatkeqësi politike, që janë të akuzuar për gjithfarë marifetesh dhe poshtërsish, duan të bëjnë zgjedhje politike, vendore dhe të zgjedhin Presidentin! Po pse nuk thonë se duan t’ia hedhin dhe njëherë si shoqërisë dhe politikës e ndërkombëtarëve!? Kurse dy të mëdhatë njëra është prerë jo dhe sigurisht është PS-ja, kurse tjetra ose PD-ja luan “birin e ku..vës” duke bërë se pranon të aprovojë aleatët e vegjël dhe mos i prishë qejfin Presidentit që po tenton të zvogëlojë PD-në akoma më tepër, se sa e ka zvogëluar Basha në bashkëpunim me Ramën! Po pra dhe unë Ramën e kuptoj pse e do PD-në thërrime, sepse ajo e nxori jashtë dikur me anën e Berishës sigurisht padrejtësisht dhe tashmë Rama i ka nxjerrë jashtë pushtetit duke i bërë të rrezikojnë dhe formacionin politik!
Por padyshim ka një bashkëpunëtor të zellshëm që është Basha! Po kthehem te ato zgjedhje që unë ju them “të tyret”! Zgjedhjet e politikës e kam fjalën! Ato zgjedhje që shpëtojnë sërish Bashën, Berishën, Metën, taborin e tyre demode opozitar dhe një dorë akoma më shumë të vegjlish që marrin ndonjë copë, duke e bërë akoma më të shpifur Shqipërinë se të mëdhenjtë! Duan të rregullojnë si biografitë dhe raportin e tyre me të huajt, kur në fakt kanë vetëm një qëllim që është shpëtimi nga reforma në drejtësi dhe sidomos përforcimi pushteteve si kulisa dhe si marrëveshje në kurriz të shqiptarëve! Nga të tillë pehlivan dhe njerëz të hurit dhe litarit, nuk ka, dhe nuk mund të ketë asnjë marrëveshje që zgjidh “bukur dhe përnjëherë” atë mizerje dhe prodhim degradues politik, pikërisht të tyren! Ata janë vetë sëmundja dhe nuk mund të jenë as kura as doktorët e shërimit të sëmundjes! Brenda dy muajve dhe afateve jashtë çdo logjike, duan të bëjnë zgjedhjet më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare këto tre dekada! Po ku ka më pazarxhinj dhe maskarenj politik se sa të tillë rrufjanë!
Pastaj janë zgjedhjet e “Zotit” dhe unë nuk e kam fjalën për atë në qiell! Jo ai nuk bën votime! E kam fjalën për atë të Rilindjes ose Edi Ramën! Tashmë atij opozita i krijoi kushtin e zgjedhjeve të tilla! Të vetme pra! Po po, dhe nuk e kam problem të them se nuk e ka fajin ai! E kanë ata që i kanë bërë fresk politik dhe janë tërhequr nga përballja demokratike dhe nga zgjedhjet demokratike me kundërshtarë normalisht përpara! Ishin parakushtet për të pasur zgjedhjet e “Zotit” ose të Edi Ramës e që të bëheshin këto zgjedhje kanë punuar fort si Basha dhe një dorë e padukshme “filozofësh” demokratë në Tiranë! Ishin të qartë për mungesat normale në gjykatat kryesore dhe prandaj bënë këtë paçavure demokracie që në popull dhe në shoqëri apo jashtë, të dukej “diktatori” Rama që fiton i vetëm! Po pra si “Zoti” edhe pse vetë ishin larguar dhe vendosur kushtet e principeve sa idiote dhe antidemokratike! Kaq idiote, sa nuk e hëngrën dot as kancelaritë! Por zgjedhjet e “Zotit” u bënë dhe mirë se u bënë! Po po, sepse kështu i do “mushka drutë në Shqipëri”! Një shoqëri e plotësisht politizuar, e ka si kërkesë patologjike një palë zgjedhje të “Zotit” sepse i ndalojnë “barkun e verës”, që vazhdimisht ka si efekt i abuzimit me lirinë dhe pluralizmin, por dhe përdhunimit që i bën demokracisë!
Tani ai ka dhe pushtetin qendror dhe atë vendor, por ka dhe një shumicë në kuvend! Sigurisht nuk ka dot sundimin si dikur Berisha mbi drejtësinë! Jo atë nuk do ta ketë më, as në prokurori, sepse nuk do të ketë më individë nga Iballa që bëjnë të fortin për të mos bërë më asgjë! Tani “Iballiotët mbas gramshiotëve” do të sfidohen nga SPAK dhe BKH! Interesant si i gjejnë dy palët provincialë të uritur dhe “krenarë” për prokurorë të përgjithshëm?! Tani mbeten “Zgjedhjet Tona”! Ato tani janë krejtësisht gjë tjetër! Shoqëria kërkon zgjedhjet jo stres dhe jo krim politik elektoral me njerëzit dhe Shqipërinë! Nuk duan kapadainj dhe të fortë lagjesh dhe katundesh nga partitë për të bërë listë emrash dhe paresh apo kërcënimesh! Këto lloj zgjedhjesh që i duan “ata në 13 tetor” dhe “Zoti” kur të jenë – nuk mund ti duam ne! Nuk janë tonat “as me logjikën e tyre dhe as me logjikën e Zotit” por me logjikën e një standardi të ri dhe pikësëpari me një kod të ri! Deri sa të vendosë çdo gjë kryetari në parti nuk do të ketë zgjedhje normale, as të lira dhe as të ndershme! Sepse populli nuk do të votojë kurrë njerëzit që ai i ka përfaqësues realë, por “mother fucker-s” që urdhëron kryetari! Nuk janë zgjedhjet tona këto kurrë! Zgjedhjet tona janë ato të taksapaguesve dhe jo militantëve që duan pikërisht të mos paguajnë taksa dhe bëjnë medemek roje votash! Zgjedhjet tona janë ato të njerëzve të mbarë që nuk dhunojnë si ligjin dhe veten dhe nuk përgatiten nga partia për të dhunuar gjithçka për partinë dhe përfitimet e saj! Zgjedhjet tona janë ato kur maskarenjtë dhe hajdutët nuk urdhërojnë dhe nuk merren me numërime, e të tjera si këto! Zgjedhjet tona nuk janë marrëdhëniet me eurot apo lekun ose afera për fitim! Zgjedhjet tona janë vullneti jonë i lirë, i pa cenuar nga asnjë lloj perversiteti politik dhe partiak nga cilado anë të vijë! A mund të bëhen të tilla zgjedhje?! Absolutisht jo, as për dy muaj dhe kam frikë dhe për dy vjet! Deri atëherë do të mbetemi në kuadrin e “zgjedhjeve të tyre dhe ato të Zotit”! Por kurrsesi të arrijmë në këto kushte dhe pa filluar punën drejtësia – të kemi zgjedhjet tona! /Nga Besi Bekteshi