Amerikanët i kanë futur të dridhurat Presidentit Ilir Meta. Me shpalljen “non grata” të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, amerikanët dhanë një mesazh të qartë për gjithë klasën politike shqiptare. Ndërkohë që, zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer i vuri kapak gjithçkaje, duke u shprehur qarët se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë shumë seriozisht luftën ndaj korrupsionit dhe nuk do të tolerojnë askënd.
Po ashtu, zoti Palmer rrëzoi edhe Presidentit Meta sa i takon zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, duke theksuar se për ato duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese. Mirëpo, këto deklarata të SHBA duket se kanë trembur tej mase kreun e shtetit, i cili dje ka sulmuar hapur zyrtarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, zotin Matthew Palmer. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ndonëse nuk përmend emra, Meta akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se janë bërë palë me mazhorancën dhe se janë kampion të njëanshmërisë, ndryshe nga sa pretendon zoti Palmer. Madje, Presidenti sulmoi zyrtarin e DASH edhe sa i takon mesazhit që ai dha për zgjedhjet e 30 qershorit, duke ngritur pyetjen se përse nuk ka sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë Presidenca, por ia kërkon zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, sikundër është Gjykata Kushtetuese. “Mirëmëngjesi të dashur miq! Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike: Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar? Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor? Ju uroj një fundjavë të mbarë”, deklaroi Presidenti Ilir Meta. Pra, përmes këtij mesazhi kreu i shtetit jovetëm që ka dalë kundër Gjykatës Kushtetueses, por ka sulmuar edhe amerikanët, pasi njëanshmërinë dhe Kushtetuesen ishte zoti Palmer, ai që i përmendi pak ditë më parë.
Ja deklarata e Palmer që “acaroi” Metën
Zëvendës ndihmës-Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer deklaroi pak ditë më parë gjatë një intervistë për “Zërin e Amerikës” se Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë e askujt në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. “Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”, deklaroi ai. Sa i përket zgjedhjeve të 30 qershorit, Palmer theksoi se kjo çështje nuk i takon të gjykohet nga SHBA-ja, por nga Gjykata Kushtetuese, teksa vuri theksin për krijimin e saj në një kohë sa më të shkurtër. “Kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Apo jo? Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit. Ajo gjykatë do të ishte pikërisht në gjendje t’i përgjigjej asaj pyetjes. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që ta gjykojnë atë çështje. I takon Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ta marrë atë vendim”, nënvizoi Palmer./Rigels Seliman