Nga Kristo Mërtiri
-“Dikush qan hallin e drejtësisë së vonuar duke kujtuar numrin e madh të dosjeve në rafte, disa të tjerë nuk dinë se cfarë kërkojnë dhe cirren se reforma po kapet”. Ore, me kë flasin kështu këta kalanderë, mujsharë e milionerë të pistë ? Kujt i bëjnë llogje e karshillëk, mbi 30 mijë hallexhinjve të “burgosur” nëpër dosjet e Gjykatës së Lartë që dergjen me vite duke pritur gjykimet e vendimet sipërore ?! Apo ato të shkallëve të tjera ku u merret firoma duke kërkuar të drejtën e grisur e të arratisur nëpër humbellat e korrupsionit me brirë e pa brirë ?… Po rrokullisen 3 dekada “pluralizëm” dhe këta bicimsëzë kujtojn ende se njerëzia ha bar apo bën sehir luksin e tyre të shfrenuar pasi kanë mjelur e mjelin përditë taksapaguesit e shkretë.
Njerëzit e thjeshtë e të ndershëm ne vendin tim, nuk kërkojnë qiqra në hell dhe as i bëjnë petullat me ujë. Përkundrazi. P.sh. tani vonë na thuhet se në sistemin e Drejtësisë qenkërka hapur një gropë e thellë : Mungojnë 102 gjyqtarë e prokurorë ! Kujt ia thonë vallë? Vetes së tyre apo fakirfukarenjve që nuk kanë ku të përplasin kokën plot derte e halle dhe padrejtësitë që presin trokitjen e cekicit nga duart e njerëzve me veladon ?! Dhe si gjithmonë, hipokrizia gjallon e gjarpëron ashtu përmes pacipërisë. Dhe sfiliten të na mbushin mendjen se reforma e drejtuar nga ata pehlivanë “garanton që qëndrueshmëria, karriera dhe promovimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk kanë asnjë lidhje me politikën dhe pushtetin, po me vlerat dhe integritetin”.
Ndërsa këtu në mes të Tiranës, ia futin edhe si kau pelës :” Prokuroria e djeshme ishte e mbërthyer nga drejtues të paaftë, të korruptuar dhe shërbëtorë militantë partiakë” (në një kohë kur dyert e zyrave të saj rrinë “hapur” edhe në mesnatë, ama vetëm për interesat e qelbura të këtyre politikanëve të betonuar herët në Legjislativ e në Ekzekutiv !). Dhe pastaj lëshojnë fishekzjarre të vrerosura e të mellanosura, gjoja “për spekullantët politikë dhe kalemxhinjtë e tyre”. Por ngjarjet, shifrat dhe faktet drithëruese nuk mund të heshtin përballë Polit(h)ikës e politikanëve pa kurrfarë morali.
-Ne kemi aktualisht 5 cështje të familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Por në Gjykatën e Lartë ne nuk kemi ende një mundësi për t’u gjykuar, ajo është bllokuar,-deklaroi avokati i tyre.
Fjalimembajtësve në 3 vjetorin e Reformës, as 26 qytetarët e djegur e të pjekur për së gjalli në flakët korruptive të Gërdecit nuk ua lëvizën sadopak qerpikun ? Dhe e mbyllnin, o Zot, me këshillat e Nënë Terezës. Hipokrizi e pashoqe në dynja ! Edhe kritikave e kundërshtimeve normale në tribunat politike e mediatike, u vunë kapakun e ndryshkur dhe i etiketuan menjëherë si “beteja midis drejtësisë dhe padrejtësisë” e që vijnë nga “fronti i së keqes”(?). Guxim e kurajo jo e vogël, kur flet nga kolltuku, nga vilat e pallatet, nga dyqanet e veturat luksoze, nga pushime sheikësh etj. Dhe hiqen seriozë e të rëndë, mjeshtra të manipulimit. Dhe atë “frontin e së keqes” e gjejnë vetëm tek njerëzit që i thonë gjërat acik e sy më sy dhe asnjëherë pas gardhit. Pastaj rrëmbejnë pa pikë turpi e namuzi monopolin e Drejtësisë !
-Harruam të të pyesim, miku ynë : Haberet e mësipërme i mësuam nga një kanal televiziv jo dosido, që para ca kohësh i hiqte petët lakrorit të madh korruptiv e vjedharak të atij që mbajti fjalimin kryesor tani ! (Mos ngri supet, po deshe). Askush nuk pipëtiu me ndonjë qëndrim a koment mediatik përballë brockullave e asaj hipokrizie sa një mal. Aman, më qafsh, c’po ndodh kështu, nëpër lëndinat tuaja publicistike ?…
Dukuri të tilla, mua jo rrallë më hedhin në krahët e dëshpërimit. Cdo lloj sejmenërie me maska e pa maska, nuk i shërben aspak publikut, vegjëlisë e qytetarisë. Nuk besoj të ketë ndikuar shumë vapa e fundkorrikut. Apo janë shtuar shumë “shejtanbudallenjtë” ? Të mos harrojmë : Jo gjithnjë ka të drejtë kush flet më mirë e më shpejt. Sepse sic shprehen tiranasit e mocëm, kush vjedh edhe rren. E përsëris bindjen time : Kjo kupolë politike, majtas e djathtas, duhet shporrur ! Përndryshe Shqipëriza jonë do të lëngojë gjatë… Së pari, zengjinët e pistë, të vjetër e të rinj në politikë, mos e dinë miletin të verbër e shushameno që nuk i shikon hic politikanët e kamur e të dhjamur me “rrogat” e shtetit ligjor ? Sepse minarja nuk mund të futet në thes ! Dhe as nëpër kartat e fshehta bankare, brenda e jashtë vendit. Së dyti, mos e dinë miletin të shurdhët dhe gjoja nuk merr vesh nga Drejtësia e botës demokratike ? Botë që vë duart në kokë përballë politikanëve shqiptarë me pasuri marramendëse të siguruar në “demokraci”. Por kambana të tilla zor se i dëgjojnë barkngopurit e panginjur ! Së treti, mos e dinë miletin memec a gjuhëlidhur ? Ku ta dëgjojnë derëzestë e punëzestë ? Ata tanimë kanë harruar të hipin në autobuzë apo (qoftë larg!) të ecin me këmbë nëpër qytete e fshatra ! Dhe përgjërohen rreth “lirisë” se fjalës. Se liria e punës është ngujuar në fjalime e vendime lumë. Dhe bijtë e bijat e nënave marrin udhët e paudha të mërgimit. Jo ata të politikanëve me spaleta e pa spaleta, që kanë lindur “me këmishë” ! Dhe as të afërmit e tyre. Vetë shkruajnë, vetë vulosin. Shikoni pensionet e tyre : marrin mbi 10 fishin e mijëra pensionistëve që dhanë gjithcka për Shqipërinë hallemadhe ! Jo më kot shprehen të mbytur nga mjerimi e trishtimi : “Jemi më keq se atëherë kur ishim keq” ose “C’farë Drejtësi do presim, kur ajo komandohet nga Polit(h)ika zengjine ?”…
Shumica e kupolës së sotme politike (në mazhorancë e në opozitë) është provuar e sprovuar me bollëk gjatë 3 dekadave të fundit të tranzicionit pa fund. Ata nuk u japin dot përgjigje të plotë pyetjeve të njerëzisë. Përshembull, përse e ushqeu sistemin e ri pluralist dhe vetë “demokracinë” shqiptare vetëm me idenë e “antikomunizmit” ? Madje, “kjo ide tashmë është kthyer në dogmë, sic u bë dogmë edhe komunizmi”… Ose më tej. Përse shtresa e intelektualëve të vërtetë e të ndershëm shqiptarë, mbeti shtresa më e varfër e shoqërisë “demokratike” 30 vjecare ? Tjetër. Sa djem e vajza mbaruan studimet jashtë vendit dhe sa u kthyen në mëmëdhe, në cilat vende pune shtetërore e private po kontribuojnë konkretisht ? Pa llogaritur të zhgënjyerit nga kjo demokraci kallpe, nga ky korrupsion politik e ekonomik vrasës. Dhe ikën prapë, ikën ! Kush ua vrau e përthau shpresën e fundit, ëndrrat e idealet patriotike ?… Politikanët e pasurive pa djersë, nuk japin dot përgjigje. O Mete, për vete ! Dhe populli pret Drejtësi me sytë nga qielli. Jo vetëm kaq, por tani jargaviten e ngrenë zërin edhe kundër latinëve a filozofëve të pavdekshëm, duke vërvitur dyshime tinëzare e mediokre deri rreth postulatit të patundshëm : Drejtësia e vonuar është Drejtësi e mohuar ! Kaq të “mencur” janë këta kokëmishër me spaleta e grada krejt të pamerituara, saqë herë pas here marrin flakë si fijet e kashtës dhe kujtojnë se e hedhin lumin e përgjegjësisë publike duke fërkuar barkun mbi milionat harram. Lufta kundër hajdutërisë, korrupsionit politik e pandëshkueshmërisë duhet të nisë nga majat e Polit(h)ikës të lyer e përlyer kokë e këmbë. Po nuk ra ky lloj tërmeti, reformat e trumpetuara do bëjnë një vërë në ujë ! Kjo është e vërteta e ëmbël a e thartë qoftë. Njerëzia e thjeshtë dhe e ndershme, që me zor shtyn muajin për ushqime e shërbime minimale, sot po flet fort e me shpirt të pastër, shkurt, drejtpërdrejt e shqip :
-Mos ardhsh kurrë Drejtësi e politikanëve me “ligje”, pallate e cifligje !…