Vetëm pak ditë më parë, ekskluzive.al publikoi rastin e “e-Albania”, portalit qeveritar, i cili “i mbyti” bizneset me gjoba, vetëm pse e ka të pamundur të pranoi dështimin e saj.
Biznese të shumta ankoheshin për portalin, se prej disa ditësh, nuk mund të bënin regjistrimin e pasqyrave financiare vjetore në portal dhe si pasojë u priste gjoba prapa porte.
Afati i fundit i regjistrimit të pasqyrave financiare ishte data 31/07/19, ku shumë nga drejtuesit e bizneseve e kishin të pamundur të depozitonin të dhënat e tyre financiare në këtë portal.
Hileja ishte tek dështimi i turpshëm i “e-Albania”, pasi në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, njoftohej qëllimisht se:
“Ndërkohë, ju informojmë se dorëzimi i pasqyrave financiare do të kryhet në formatin Excel, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.”, por në njoftim nuk shkruhej gjëkundi, se depozitimi i pasqyrave financiare mund të bëhej përmes “Postës Shqiptare”, procedurë ligjore kjo dhe bizneset kështu mund të evitonin fare mirë gjobën si penalitet.
Në njoftim nuk shkruhej qëllimisht, pasi bllokimi i portalit në fjalë dhe nisja e procedurave të regjistrimit me postë, do provonte fare mirë dështimin e “e-Albania”. Ndaj dhe gjobat e marra nga bizneset, iu faturuan këtyre të fundit, prej arrogancës të drejtuesve të portalit, të cilët nuk donin kurrësesi të pranonin dështimin e tyre.
Problemi që hasën prej ditësh drejtuesit e bizneseve, ishte ndërprerja e shërbimit, edhe pse regjistrimin e të dhënave e kishin detyrim ligjor, i cili në moszbatim sanksionohet me gjobë prej 15000 lekësh.
Dështimi i këtij shërbimi, i faturoi mijëra bizneseve gjoba në shuma të konsiderueshme, vetëm pse portali nuk punon dhe jo për faj të tyre. Ky shërbim duhet rregulluar menjëherë, që përgjegjësia e moszbatimit të urdhrit nga “Qendra Kombëtare e Biznesit”, mos të bie mbi biznesin. Ndërsa portali i detyrohet një ndjesë të madhe bizneseve, për kaosin e shkaktuar në sistem.
Njoftimi nga Qendra Kombëtare e Biznesit
Afati i fundit për deklarimet për çdo biznes është deri më datën 31/07/19, por prej ditësh portali nuk hapet dhe nuk e ofron këtë shërbim!
“Të nderuar subjekte!
Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se, bazuar në nenin 43, të Ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, subjektet duhet të regjistrojnë dhe depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar, në të kundërt aplikohet sanksion administrativ gjobë, prej 15000 lekë.
Afati përfundimtar, për dorëzimin e këtyre dokumentave është data 31 korrik 2019.
Ndërkohë, ju informojmë se dorëzimi i pasqyrave financiare do të kryhet në formatin Excel, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.
Për informacione të mëtejshme lidhur me mënyrën e dorëzimit dhe përdorimit të formatit të ri, lutemi konsultoni Manualin e Përdorimit për aplikimin për depozitimin e pasqyrave financiare dhe raporteve si dhe mund të kontaktoni në adresën elektronike [email protected] dhe në numrin e Tel: +355 4 2250066″, mbyllet njoftimi.