Kryeministri Edi Rama, ka vijuar sërish me citimin e aktorëve të njohur, të cilët shprehen se janë pro ndërtimit të një Teatrit të ri. Përmes një postimi në Facebok, Rama ka cituar deklaratën e aktorit Bujar Asqeriu, i cili shprehej se duhet bërë një teatër i ri dhe se në atë godinë nuk futej sepse është sëmundje.
“Aktori i famshëm, Bujar Asqeriu, i përket një brezi të ndërmjetëm, mes mjeshtrave që themeluan Teatrin Kombetar gjatë epokës komuniste dhe të rinjve, që erdhën në skenë kur regjimit komunist i erdhi fundi.
Ai krijoi një galeri të pasur rolesh, në ekran dhe në skenë, duke fituar zemrat e respektin e publikut. Në këtë çështjen, “prishet nuk prishet” rrënoja e teatrit, Bujari ishte zëdhënës i fuqishëm i protestës fillestare; kur i tërë komuniteti u mblodh bashkë, për të garantuar vijën e kuqe të mosprekjes së territorit të Teatrit Kombëtar për ndërtime të tjera.
Qyshse kjo çështje u sqarua qartë e prerë me qeverinë e me bashkinë, që s’kanë pasur kurrë ndërmend të përdorin truallin e teatrit për tjetër gjë, përveçse për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, Bujar Asqeriu, njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror, mbështet pa rezervë shembjen e të vjetrit e ndërtimin e të riut.
BUJAR ASQERIU:
Nuk jam për protesta, nuk i mbështes. Dua të dëgjohen arkitektët. Unë më në atë godinë nuk futem sepse është sëmundje. Nga ajo godinë ku v.diqën shokët e mi, më duket se jam sëmurur edhe unë.
Dua një Teatër të ri dhe nuk ka më kuptim që të vihemi kundër njëri-tjetrit, por t’ua lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua!”– shkruan Rama në Facebook.