Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur për akuzat e fundit të ambasadores Yuri Kim ndaj Sali Berishës, të cilin e quajti “zjarrvënës”, gjatë një interviste për VOA.
Paloka deklaroi se ambasadorja ka qenë e anshme dhe se nuk ka folur për skandalet e qeverisë, përfshirë skandalin McGonigal dhe raportin e DASH.
I pyetur nga Ylli Rakipi se përse Berisha dhe PD e akuzojnë Kim për korrupsion, pa publikuar provat, Paloka tha se Berisha “nuk flet kot”.
Kujtojmë se Berisha ka deklaruar së fundmi se Kim “ka prona në Shqipëri”, por nuk ka publikuar asnjë provë për këtë.
Edi Paloka: Tre njerëz heshtën për skandalin McGonigal, zonja Kim, Rama, që nuk pipëtinë fare. Rasti i dytë ishte raporti i DASH që e rendiste qeverinë Rama, në qeverinë më të korruptuar të kontinentit. Prapë kjo zonja që shfaqet si përfaqësuese e DASH nuk bëri asnjë koment. Ajo sajon një intervistë, me një gazetar periferik, as me gazetarin kryesor të VOA, për të sulmuar, jo Sali Berishën, por opozitën, në shërbim të Edi Ramës.
Kjo nuk po ndodh tani. Kjo histori ka filluar që kur zonja ka ardhur në Shqipëri. Këto sajesa, që është shpallja non-grata e Berishës që ka sjellë sulmet e saj, janë justifikime. Zonja ka qenë në shërbim të Ramës që kur ka ardhur në këtë vend.
I kam thënë Bashës, vëri fre kësaj zonje, sepse do të të hipë në shpinë!
Kjo një muaj para zgjedhjeve lokale, u thotë shqiptarëve mos votoni opozitën por votoni Edi Ramën.
Ylli Rakipi: Berisha e akuzon ambasadoren Kim për korrupsion, madje thotë se ajo ka prona në Shqipëri. Nëse ju i dini këto prona të supozuara, përse nuk i publikoni? Përse nuk bëni transparencë për shqiptarët?
Edi Paloka: Ka disa prova publike dhe nuk ka nevojë ti fusim ne në dosje. Ka dy anije që janë sjellë me kontributin e zonjës dhe vajti zonja me Belinda Ballukun, t’i prisnin dhe u thanë shqiptarëve që shpëtuat nga kriza energjitike. Kjo është publike. Ne themi inceneratorët, por 70 milionë euro janë dy anijet që nuk kanë prodhuar një ditë energji dhe rrinë kot në brigjet e Vlorës. Siç tha Belinda Balluku, patëm fatin që ndërhyri zonja se për pak na i morën.
Për çështjen e pronave foli Sali Berisha. Ai nuk i lëshon gjërat në ajër, por ato vërtetohen. Si ajo e “mushkonjave”…. Berisha deklaroi vetë që jemi gati të bëjmë transparencë.
Pse zonja që nuk reagoi për skandalin Mcgonigal dhe raportin e DASH, papritur ditën që zëvendësohet, merr përsipër të sajojë një intervistë, për të goditur opozitën?