LSI është krijesa e Ilir Metës. Ai është ati i saj. Një fraksion në një mot të nxehtë nga përplasja me Fatos Nanon në kohën kur kërkoi rrëzimin e tij nga posti kryeministror dhe pas një beteje nëpër Shqipëri, rimori drejtimin e qeverisë, duke larguar Metën.
Në një betejë të gjatë brenda gjirit të socialistëve, u shkëput një pjesë e anëtarëve dhe simpatizantëve të PS dhe me ta u formua partia që në fjalorin e përditshëm është pagëzuar “Partia presidenciale”.
Në skakierën politike, një forcë e re, ambicioze, e sapo krijuar me pritmëri të mëdha, nisi të shtrihet brenda një kohe të shkurtër në çdo cep të vendit. Jo pak socialistë të thekur, të pakënaqur, të ndjerë të pavlerësuar, të pashpërblyer, të nesërmen, u errën socialistë e u gdhinë lësëistë. U rreshtuan me këtë forcë politike që në vite ka luajtur me dy porta.
Njëherë ka bashkuar votat me PD e më pas me PS. Pikërisht ky qëndrim pragmatist joshi shumë prej atyre që i kanë parë partitë, si strehëza për të pasur një punë me leverdi, për t’u bërë drejtorë e doganierë, shefa policie apo tatimorë. Pa folur për ata që kanë pasur ambicje më të mëdha për të zënë karrige në parlament deri në qeveri.
Pikërisht ky pozicionim e shndërroi LSI-në në parti që ka dhënë e ka marrë gjatë gjithë viteve të egzistencës së saj përfitime që janë përkthyer gjithnjë me favore dhe vota për këtë forcë politike që ia arriti për shumë kohë të bëhet faktor përcaktues në krijimin e qeverive. Në vitin 2009 bashkoi votat me PD-në, e cila nuk mund të krijonte e vetme qeveri.
Nga ky bashkim arriti të rrëmbejë nga torta qeveritare një pjesë të mirë të ministrive dhe poste me influence e para. Fill pasi voli beneficet e qeverisë së PD-së, kur nuhati se qeveria “Berisha” do dilte në opozitë, Ilir Meta u kthye në shtëpinë e vjetër në një koalicion, i cili i krijoi mundësi të jashtëzakonshme përmes të cilave u forcua partia dhe arriti të sigurojë një numër rekord deputetësh në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e vitit 2013.
Në vijim të njejtën rezultat arriti edhe në zgjedhjet lokale, ku votat e socialistëve i dhanë pesë bashki. Sot, këto bashki tundin flamurin e revoltave dhe i janë bashkuar revolucionit antizgjedhor, edhe pse janë fryt i votave të socialistëve.
Dihet qëndrimi i LSI gjatë tërë kësaj periudhe që nga krijimi deri në ditët e sotme. Një vëzhgues i vëmendshëm i politikës në qytetin tone, thotë se: -LSI, mori gjithçka dhe nuk dha asgjë, veç zhurmës dhe sherreve pafund. Ajo nxiu edhe më shumë PD dhe më pas edhe PS-në.
Në kushtet kur kjo forcë politike për herë të parë është në opozitë, fuqia e saj u mpak, ashtu siç u larguan mijëra militantë dhe të zgjedhur vendor nga Tropoja deri në Sarandë. Siç plotësuan karriget bosh pas braktisjes së parlamentit, pjesa e dytë e listës së LSI-së në masën 100 përqind. Kjo hemorragji i ka dhembur shumë LSI-së dhe lidershipit të saj. Ashtu siç i ka zbritur shumë aksione largimi i Ilir Metës drejt presidencës në një moment kur partia kishte nevojë për lidershipin e tij.
Pas eksperimentit me Tit Vasilin që mbretëroi vetëm disa ditë, për të mos e lëshuar në drejtim të paditur partinë, garanten e çdo përfitimi dhe privilegji për çiftin presidencial, partia familjare që zotërohet nga çifti Meta-Kryemadhi me një nxitim të jashtëzakonshëm katapultoi në krye të LSI-së Zonjën e Parë, Monika Kryemadhi. Dihen metodat dhe stili drejtues i zonjës Kryemadhi. Egoiste pa kufi. Me fantazi të shfrenuar. Ambicioze jashtë çdo limiti.
Autoritariste pa fund. Gojëprishur deri në ekstrem. Njihen shtigjet dhe aksionet ku e futi partinë kryetarja e re. Ashtu siç njihet ashpërsia që edukoi në mendjen e çdo të riu antari e simpatizanti i kësaj partie, duke i treguar si rrugë të fitores dhunën dhe forcën.
Asnjëherë nuk ushqeu debatin dhe dialogun, bashkëpunimin dhe marrëveshjen nuk i pa as në ëndërr. Pikërisht për të udhëhequr me këtë shembull, Kryemadhi, u bë protagoniste e dhunës në parlament për t’u thënë mbështetësve se kjo ishte rruga, kështu duhet vepruar kundër mazhorancës qeverisëse që ajo e ka emërtuar “bandë e krimit”. Stili i përdorur prej saj, gati e shndërroi partinë në repart ushtarak ku nga mëngjesi në mbrëmje bëjnë rreshtore, para-prapa në sulm për fitore, ku komandantja vetëm urdhëron dhe përgatit jo qytetarë politikë po ushtarë të dhunës.
Pikërisht pas shumë tentativave për pushtet me dhunë, lutjeve për vdekje të kundërshtarëve, si e dërguara e zotit në tokë siç thotë, pasi i bëri të gjitha dhe nuk ia doli që nga salla e kuvendit deri në sheshet para Kryeministrisë dhe Kuvendit, pasi i përdori të gjitha armët dhe i shfrytëzoi tërë rezuset, në një kohë kur politika është futur në një betejë absurde, një betejë e egër për zgjedhjet dhe përplasen dekretet numër një me numrin dy, njëri dekretim dhe tjetri ç`dekretim, si dhe eksperimenteve të përdorimit të forcës që nga Shkodra deri në Pogradec e Gjirokastër dhe pas deklaratave të ashpra të faktorit ndërkombëtar, Monika Kryemadhi, deklaroi para opinionit shqiptar se i bënte thirrje Ilir Metës të zbriste në terrenin real të politikës dhe të futej në garë për të marrë kryesimin e LSI-së.
Monika i hodhi dorashkën për duel bashkëshortit, i cili është Presidenti i vendit qysh prej dy vitesh. Po ajo nuk e ftoi për t’i lënë vendin paqësisht me mirëkuptim themeluesit. Përkundrazi ai duhet të garoj brenda partisë dhe të bëj garë të ndershme. Nuk e dimë nëse zoti Meta do pranojë këtë sfidë që i vjen nga brenda familjes.
Nuk dihet nëse do zbresi nga kolltuku presidencial për t’u ndeshur me Zonjën e Parë, bashkëshorten në kërkim të kolltukut të kryetarit të partisë. Po sfida dhe ftesa e beftë që Meta të zbresi në fushë betejë, duket vërtetë paradoksale. Kjo për faktin se ai në betejë është prej kohësh dhe qëndrimet e deritanishme edhe nëse je vërtetë indiferent në politikë dhe i dashuruar pas veprimtarisë së presidentit, duket si një thirrje për t’u hedhur shqiptarëve një dozë të lartë mashtrimi.
Ose mundet që mes çiftit presidencial të jetë biseduar edhe variant i lënies së Presidencës në mënyrë të butë. Për Monikën nuk është e lehtë që Meta ta rimarrë partinë. Ajo ka kohë që ka hedhur themelet në këtë forcë politike dhe ka garanci se do ta mundi Metën në një garë të ndershme brenda partisë!?
E bukur për të qenë e vërtetë. Po njëherësh edhe pak e çuditshme. Zoti Meta është Presidenti i Republikës dhe drejton shtetin.
Ai i shërben më mirë opozitës, duke qenë në krye të piramidës shtetërore. Pa dekretçdekretimin e 30 qershorit, atentatet do ishin të pastra talebane. Me dekretin e ri, fshehja pas ligjshmërisë të dhunës është alibia më e mirë. A mund ta realizonte opozita dhe Monika këtë kauzë nga rruga? Të gjithë do thonim jo!
Nuk e dimë si është e mundur që Kryemadhi i kërkon të lërë postin më të lartë të shtetit dhe zërë të karrigen e kryetarit të LSI-së që është krijesa e tij?
Shumë pikëpyetje lindin nga kjo ftesë e papritur e Kryemadhit. Ndoshta vetëm këtë herë mund të jenë marrë vesh dhe kanë rënë në ujdi. Tani, kur në kuvend është kërkuar gjykimi i qëndrimeve të Presidentit dhe është akuzuar për shkelje të Kushtetutës, me sa duket pritet ndonjë lëvizje e papritur që Presidenti t’i thotë lamtumirë Presidencës dhe të zbres në krye të partisë.
Ndoshta, llogaritë e LSI-së, nuk dihet edhe faktorë të tjerë opozitarë, gjykojnë se Meta është më i dobishëm në krye të opozitës se në krye të Presidencës. Kuptohet këto janë vetëm disa dyshime të arsyeshme që i lindin çdo qytetari kur njihet me sfidën e Kryemadhit që e fton të ndeshet Meta me të për kryesimin e LSI-së.
E megjithatë Monika nuk është aspak tolerante në sfidën që bën. Ajo e fton në duel bashkëshortin President. Dorashka për duel bashkëshortor është hedhur.
Ajo qëndron para stemës së Republikës në zyrën ovale. Vetëm në se e mund do fitoj partinë, do jetë kryetar Meta. Ndryshe do mbetet antar i thjeshtë partie! I bie ti humbi të gjitha?! Po këto janë punët e brendshme të LSI-së. Për ne mbetet kuriozitet dueli dhe gara e çiftit presidencial. Le të presim cili ka më shumë vota brenda LSI-së dhe është më i dashuri i partisë!?
Nga Bardhyl BEJKO