Mëngjesin e kësaj të hëne rreth orës 9:30, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është thirrur në Prokurorinë e Tiranës në cilësinë e të pandehurit ku do t’i komunikohet zyrtarisht akuza lidhur me çështjen e financimit rus për lobimin në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Ai akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017. Basha njofton se nuk do të shkojë në prokurori pasi nuk po zbatohet si duhet ligji.
Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në prokurori sot në orën 9.30.
Në një letër drejtuar prokurorisë së Tiranës, kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur për t’u paraqitur në prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikmëri ligjin.
Në njoftimin e prokurorisë së datës 12 Qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit. “Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”- shprehet në letrën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha. Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatusr ligjin, kërkoj nga prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në keto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës oër paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”