Presidenti Ilir Meta ka folur pas mbledhjes së Këshillit të Integrimit Europian, duke e vlerësuar këtë takim si mjaft të rëndësishëm.
Kreu i shtetit tha se është mjaft e rëndësishme vendosja e legjitimitetit te të gjitha institucionet e vendit.
I pyetur për marrëdhënien e re me kryeministrin Edi Rama ku sot u shfaqën të buzëqeshur dhe me tone miqësore, Meta tha se do t’i përgjigjet çdo ftese e cila ka për qëllim rikthimin e shpresës te qytetarët.
“Ishim për çështjet e integrimit dhe ju e dini që për këtë çështje kam qenë dhe do të jem për t’iu përgjigjur cdo ftese si e sotmja që Shqipëria të mos humbasë kohën e shpërdoruar në këto dy dekada.
Sot jemi në një situatë jo shumë pozitive dhe mjaft qytetarë kanë humbur besimin te standardet e vendit tonë prandaj na duhet të rifitojmë një shpejtësi të re“, u shpreh Meta.
Ndërkohë, i pyetur për propozimin nga PS për mbajtjen e zgjedhjeve me 9 maj, presidenti dha këtë përgjigje.
”Po të ishte për datën e zgjedhjeve, ju e dini që data do ishte dje për mua, në kuptimin e rëndësisë dhe legjitimitetit të plotë të institucioneve në vend. Por mbetet ende shumë punë përpara për të treguar përgjegjshmëri me këtë proces që po monitorohet në mënyrë mjaft ngushtë nga të gjitha vendet anëtare”, tha Meta.